Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj thotë se panairi i 30-të ndërkombëtar i Bujqësisë dhe Ushqimit sjell produkte Made in Albania me shije unike dhe çmime konkurruese në treg.
Denaj solli historitë e zonjave duararta që po shpalosin në panairin e 30-të ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Ushqimit “Nga Toka në Tryezë” produktet e tyre cilësore Made in Albania si rezultat i përkushtimit dhe dashurisë për të sjellë tek konsumatori shije unike dhe konkurruese në treg.
“Unë jam Flora Sali dhe prodhoj mjaltë nga fshati Gosivishtë e Përmetit. Falë edhe ministrisë ne marrim subvencionet për bletët dhe ne kemi shkuar në 150 koshere. Para dy vitesh ne e kemi certifikuar mjaltin e Bedunicës, si mjaltë specialitet, tradicional dhe i garantuar”, thotë ajo. Ndërsa, një tjetër zonjë nga Shkodra sjell historinë e sipërmarrjes së saj që prodhon sapunë tradicionalë.
“Jam Jetmira Kaloshi, themeluese dhe drejtuese e Natyra Ime. Ne prodhojmë sapunë natyralë, artizanalë, me vaj ulliri dhe bimë medicinale të zonës sonë nga Shtoj i Ri në Shkodër. E veçanta e këtyre produkteve është se janë 100% natyrale, pa kimikate, pa dhjam shtazor, vetëm me bimë mediciale dhe vajin e ullirit”, tha zonja.
Panairi i dedikohet promovimit të shërbimeve dhe produkteve autoktone shqiptare, për të nxitur konsumatorët drejt prodhimeve vendase. Objektiv kryesor i panairit është nxitja e bashkëpunimeve të reja në bujqësi, rrjetëzimi i fermerëve dhe ekspertëve të sektorit me marka ndërkombëtare dhe me aktorët kryesorë të cilët ndikojnë zhvillimin e sektorit./ata