300 sipërmarrës nga fusha të ndryshme të biznesit, kulturës, industrisë, inovacionit, por edhe institucione shtetërore, u bënë bashkë në ambientet e Pallatit të Kongreseve në 6 nëntor.
Edicioni i 30-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group, ka hapur dyert në Pallatin e Kongreseve, ku kompani shqiptare dhe nga shtete të ndryshme të botës, prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre në disa sektorë.
Në ceremoninë e hapjes të organizuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të ndryshme shqiptare, të ambasadave, dhomave të biznesit dhe organizatave të ndryshme.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, në fjalën e mbajtur me këtë rast, tha se ky edicion festohet edhe me një vështrim unikal drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor, që sipas tij përfaqësohet edhe në stendat e panairit.
“Jemi në Panairin e Klikut, për të festuar tri dekada kontributesh të rëndësishme për peizazhin ekonomik dhe kulturor të Tiranës dhe Shqipërisë”, tha Gonxhja.
Ministri e cilësoi Panairin, një event vizionar që sjell në Tiranë një epokë të re, si në nivel rajonal edhe në atë evropian, i cili premton të ofrojë mundësi për rritje, networking dhe vizibilitet për kompanitë dhe institucionet pjesëmarrëse, si dhe një aleat për MEKI-n në nisma dhe qëllime të njëjta për zhvillimin ekonomik.
“Me një pjesëmarrje të mbi 300 kompanive, prej të cilave: 20 kompani “Made in Albania” nga AIDA dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Kosova, Hungaria, Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, Serbia, Panairi sot është një urë takimi, një e mirë publike që vë në pah punën e sipërmarrësve shqiptarë dhe i ndërlidh ata me kompanitë e huaja”, tha Gonxhja./ata