Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së shpalosi akuza për një komplot vrasjeje me pagesë ndaj presidentit të zgjedhur Donald Trump, që dyshohet se ishte orkestruar nga një zyrtar iranian.
Farhad Shakeri, 51 vjeç, nga Irani; Carlisle Rivera, 49 vjeç, nga Brooklyn, New York; dhe Jonathon Loadholt, 36 vjeç, nga Staten Island, New York janë akuzuar për vrasje me pagesë, konspiracion për të kryer vrasje me pagesë dhe komplot për pastrim parash. Ata përballen me një dënim maksimal prej 40 vitesh burg nëse shpallen fajtorë për të gjitha akuzat.
Shakeri u akuzua veçmas për komplot për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë të huaj terroriste, për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë të huaj terroriste dhe për komplot për të shkelur Aktin Ndërkombëtar Emergjent të Fuqive Ekonomike dhe sanksioneve kundër Qeverisë së Iranit.
Secila prej këtyre akuzave mbart një dënim maksimal prej 20 vjetësh.
“Ka pak aktorë në botë që paraqesin një kërcënim aq të madh për sigurinë kombëtare ndaj Shteteve të Bashkuara sa Irani”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, duke shtuar:
“Departamenti i Drejtësisë ka akuzuar një aset të regjimit iranian, i cili ishte ngarkuar nga regjimi për të drejtuar një rrjet bashkëpunëtorësh kriminalë për të çuar përpara komplotet e Iranit për vrasjen e objektivave të tij, duke përfshirë presidentin e sapozgjedhur Donald Trump”.
Akuzat pasqyrojnë vetëm zhvillimin e fundit në atë që autoritetet thonë se janë përpjekjet e vazhdueshme të Iranit për t'u hakmarrë për vrasjen e liderit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) Qasem Soleimani, i cili u vra në një sulm ajror të SHBA-së në Bagdad në vitin 2020 nën drejtimin e Trump-it.
Shakeri u tha hetuesve gjatë një interviste se IRGC e ngarkoi atë më 7 tetor me zhvillimin e një plani për të vrarë Trump-in, të cilin Shakeri pretendoi se nuk kishte ndërmend ta përmbushte brenda afatit kohor të përcaktuar nga Irani, tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë.
Ai më tej tha se kishte për detyrë të vëzhgonte dy hebrenj amerikanë dhe iu ofruan 500.000 dollarë nga një zyrtar i IRGC-së për të vrarë ata, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Shakeri mbetet në Iran. Dy personat e tjerë, Rivera dhe Loadholt, u arrestuan të premten në New York. Ata e kishin takuar Shakerin në burg teksa ai po vuante një dënim 14-vjeçar pasi ishte dënuar për grabitje, thanë forcat e rendit. Shakeri, i cili emigroi në SHBA si fëmijë, u deportua në vitin 2008 pasi vuajti dënimin me burg.
Departamenti i Drejtësisë tha se "në muajt e fundit" Shakeri përdori kontaktet kriminale që zhvilloi në burg për t'i siguruar IRGC-së operativë, duke përfshirë Rivera-n dhe Loadholt-in, për t'i përdorur për të kryer mbikëqyrje kundër objektivave të vrasjes në SHBA.
Sharkeri i udhëzoi këta të dy të vëzhgonin një shtetas amerikan të Iranit, të cilin autoritetet e përshkruajnë si një gazetar i cili ishte një "kritik i hapur" i Teheranit dhe ishte "shënjestër e komploteve të mëparshme për rrëmbim dhe/ose vrasje të drejtuar nga Qeveria e Iranit", tha departamenti.
Më pas ata kaluan muaj të tërë duke monitoruar viktimën, emri i të cilit nuk bëhet i ditur./aa