Media të shumta po spekulojnë për kandidatët e mundshëm për postin e Sekretarit të Shtetit në administratën e ardhshme të Donald Trump-it, post i cili mbikëqyrë politikën e jashtme të SHBA-së për katër vitet e ardhshme.

Emrat që përmenden, sipas raporteve nga Axios dhe Politico, përfshijnë Richard Grenell, një ish-ambasador në Gjermani, si dhe senatorët Marco Rubio dhe Bill Hagerty, mes pretendentëve të tjerë.

Trump mundi zv/presidenten e tij demokrate Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të së martës. Ai do të inaugurohet zyrtarisht më 20 janar.

Richard Grenell

Grenell, një ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani, i cili gjithashtu shërbeu si ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare gjatë mandatit të parë të Trump-it, shihet si një pretendent kryesor për këtë rol.

Një këshilltar i ngushtë i Trump-it për politikën e jashtme, Grenell është aktualisht një këshilltar i lartë në Iniciativën "Mbrojtja e Amerikës", një organizatë jofitimprurëse e fokusuar në kundërshtimin e ndikimit të Kinës.

Trump thuhet se i referohet atij si "i dërguari im". Përvoja e tij në Evropë mund të jetë domethënëse, pasi Trump është zotuar se do t'i japë përparësi përfundimit të luftës në Ukrainë.

Bill Hagerti

Hagerty, një ish-zyrtar i administratës Bush dhe ambasador i Trumpit në Japoni përpara zgjedhjes së tij në Senat në vitin 2020, është bërë një zë me ndikim në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, veçanërisht për çështjet që lidhen me Kinën.

Axios dhe Politico raportojnë se Hagerty mund të gëzojë mbështetje të fortë midis republikanëve të Senatit nëse nominohet.

Marco Rubio

Senatori Marco Rubio i Floridës gjithashtu raportohet të jetë nën shqyrtim për postin.

I njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Kubës, Iranit dhe Kinës, Rubio ka punuar më parë me demokratët për masat për të mbrojtur NATO-n nga tërheqja e SHBA-së, të cilat mund të rezonojnë me mbështetje dypartiake në Kongres, sipas Politico.

Në një intervistë për CNN të mërkurën në mëngjes, Rubio tha se ai nuk ka diskutuar një rol me administratën e Trump, por është i hapur për të punuar me ta në Senat ose diku tjetër.

Kandidatë të tjerë të mundshëm

Sipas Axios, Trump po konsideron gjithashtu Morgan Ortagus-en, një ish-zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, për një rol të lartë brenda departamentit ose si një ambasadore të mundshme.

Kandidatë të tjerë të mundshëm përfshijnë Robert O'Brien, ish-këshilltarin e Trumpit për sigurinë kombëtare, si dhe përfaqësuesin Mike Waltz, një ish-pjesëtar i Beretave të Gjelbra i njohur për qëndrimin e tij ndaj Kinës dhe mbështetjen e tij për NATO-n dhe Ukrainën, raportoi Politico./aa