Prodhuesi amerikan i çipave të inteligjencës artificiale (IA), Nvidia, kryeson në listën e 10 kompanive më të vlefshme në botë, teksa kompania Tajvaneze (TSMC), që merret me prodhimin e gjysmëpërçuesve, u rendit e teta në mesin e kompanive më me vlerë në botë.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu, të marra nga Marketcap, Nvidia dominoi renditjen botërore me vlerën e saj të tregut prej 3,6 trilionë dollarësh, duke rrëmbyer vendin e parë me prodhimin e çipave të saj, zgjidhjeve që ofron për IA-në, si dhe njësitë e përpunimit grafik me performancë të lartë dhe të kërkuara në treg.

Kompania me bazë në Kaliforni kohët e fundit investoi në makina autonome dhe robotë të ngjashëm me njerëzit, duke zgjeruar linjat e saj të ardhshme të produkteve dhe duke arritur një treg më të gjerë.

Apple renditet e dyta në listë me një kapital tregu prej 3,4 trilionë dollarë, i ndjekur nga Microsoft me 3,1 trilionë dollarë. Vijon kompania-mëmë e Google, Alphabet, me 2,2 trilionë dollarë, Amazon me 2,2 trilion dollarë, kompania e naftës dhe gazit natyror Saudi Aramco me 1,8 trilion dollarë dhe Meta Platforms, e cila zotëron gjigantin e rrjeteve sociale Facebook, me 1,4 trilion dollarë.

TSMC, prodhuesi më i madh i çipave në botë, u rendit i teti me një kapital tregu prej pak më shumë se 1 trilion dollarë. Kompania prodhon çipa të avancuar 5 nanometër dhe 3 nanometër për gjigantët e teknologjisë si Apple, Nvidia dhe Qualcomm, për përdorim në pajisjet celulare me performancë të lartë dhe aplikacionet e IA-së.

Ndërkohë, konglomerati Berkshire Hathaway u rendit i nënti me një kapital tregu 991.1 miliardë dollarë, ndërsa e 10-ta është kompania Tesla me 953 miliardë dollarë./aa