Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu njofton përmes rrjeteve sociale se ka zhvilluar një vizitë në Komandën e Bashkuar të NATO-s në Napoli, një prej bazave më strategjike të Aleancës, e cila mbulon zonën operacionale të Ballkanit.
Gjatë takimit me komandantin e bazës “JFC Napoli”, admiral Stuart B. Munsch dhe ekipin e tij, bisedimet u përqendruan në disa aspekte të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal dhe operativ.
Në fokus të diskutimeve ishin çështje të sigurisë rajonale, bashkërendimi i planeve të Shqipërisë me ato të Aleancës dhe zhvillimi i projekteve infrastrukturore, që synojnë të rrisin efektshmërinë operacionale dhe lëvizshmërinë ushtarake aleate në Europën Juglindore. Ministri Vengu theksoi rëndësinë e këtyre projekteve për forcimin e kapaciteteve të NATO-s dhe rritjen e sigurisë në rajon.
Në kuadër të vizitës, Vengu pati mundësinë të takohej edhe me katër ushtarakët shqiptarë që shërbejnë në JFC Napoli, duke u njohur më nga afër me kontributin e tyre në misionet e Aleancës. Vengu nënvizoi se në të ardhmen e afërt, kontingjenti shqiptar në JFC Napoli do të zgjerohet dhe do të rrisë përfaqësimin e Shqipërisë në këtë bazë të rëndësishme të NATO-s.
Kjo vizitë thekson angazhimin e Shqipërisë për një rol më aktiv dhe kontribues në strukturat e Aleancës dhe për forcimin e sigurisë rajonale, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët dhe aleatët në NATO./ata