Ruajtja e zonave të mbrojtura dhe promovimi ndërkombëtar i Shqipërisë janë dy prej prioriteteve kryesore të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se buxheti për turizmin në 2025 është rritur me 7.9% në krahasim me buxhetin e këtij viti.
“Për vitin 2025, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka përgatitur buxhetin duke ruajtur kufijtë e parashikuar në 5 programe buxhetore, konkretisht planifikim, menaxhim dhe administrim që është pjesa e gjithë menaxhimit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me gjithë agjencitë e veta, programi i mbrojtjes së mjedisit, programi i pyjeve, programi i zhvillimit të turizmit dhe programi i trajtimit, menaxhimit të mbetjeve. Projekt buxheti i vitit 2025 krahasuar me buxhetin e vitit 2024, ka një rritje prej 7.9%, ose ndryshe 306 milionë lekë.”
Gjatë fjalës së saj, Kumbaro u ndal edhe në promovimin e sektorit të turizmit dhe në dy investimet kryesore në zonat e mbrojtura.
“Për vitin 2025, aktiviteti më i madh dhe kulminant do të jetë Panairi i Turizmit në Berlin në mars të 2025. Dua të theksoj që 2025 përfaqëson një moment të veçantë në fushën e promovimit ndërkombëtar të Shqipërisë. Vitin e kaluar, panairi më i madh në botë që është panairi i Berlinit, e ka zgjedhur Shqipërinë si vendin e nderit për vitin 2025. Për vitin 2025, investimet e brendshme rriten në masën 19% ose plus 173 milionë lekë, ku do të përmend dy investimet kryesore që ne kemi parashikuar, të dyja janë të lidhura me zonat e mbrojtura për të theksuar se sa rëndësi i japim. Investimi i parë është është ngritja infrastrukturore ose i gjithë rikualifikimi i Eko Parkut të Ulzës. Investimi i dytë është ndërtimi i qendrës multifunksionale të vizitorëve në Lumin Vjosa, me një vlerë në total mbi 600 milionë lekë.”
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit njoftoi gjithashtu mbi ndërtimim e një platforme statistikash, të quajtur E-Visitor, e cila do të sigurojë të dhëna në kohë reale mbi origjinën e turistëve, anketat e turizmit, të preferencave të tipologjive të turizmit, si dhe të dhëna mbi akomodimin, të cilat do të ndikojnë edhe në formalizimin e tregut të hotelerisë./Scan