Për Partinë e Lirisë projektbuxheti i vitit 2025 mbështet oligarkët dhe injoron pensionistët e familjet në nevojë.

Kështu shkruan nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një postim në rrjetet sociale, ndërsa nënvizon se me buxhetin e vitit 2025, qeveria i jep pjesën e luanit klientëve të saj dhe thërrimet qytetarëve taksapagues.

“Në total, 777 miliardë lekë është fatura e projekteve korruptive PPP që do të paguhet me taksat e shqiptarëve”- shkruan Xhixho.

Nga ana tjetër, sipas Xhixhos qeveria parashikon 1.6 miliardë lekë fond për politika të reja pensionesh, praktikisht një rritje tërësisht e papërfillshme as 1% për pensionet, kur niveli i parashikuar i inflacionit sipas saj, është trefish më i lartë.

Ndër të tjera Xhixho shkruan se buxheti parashikon zero fonde shtesë për pagat si dhe ulje të fondit për ndihmën ekonomike.

‘Ky buxhet veçse thellon varfërinë e qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që ushqen me paratë e tyre një gusht njerëzish!’- shkruan Xhixho./ata