Shfaqet për herë të parë në formë të digjitalizuar filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton se ky film, realizim i regjisorit Dhimitër Anagnosti në vitin 1979, mbi skenarin e romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ekranizohet në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur me këtë rast, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).

Një gjeneral (Bujar Lako) dhe një prift italian (Guljelm Radoja) arrijnë në Shqipëri për të tërhequr eshtrat e ushtarëve të vrarë gjatë luftës. Gjenerali me priftin, të porositur nga Beti (Rajmonda Bulku), kërkojnë edhe eshtrat e bashkëshortit të saj të vdekur, një koloneli të njohur, dhe zbulojnë se ai ka përdhunuar një vajzë të re dhe është vrarë nga e ëma e saj, plaka Nicë (Roza Anagnosti).

Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” do të shfaqet të hënën, më 11 nëntor, ora 18:00, në “Auditorium”-in pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, DPA-ja synon që përmes kinematografisë, duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të filmave, t’i njohë të rinjtë me të shkuarën e vendit.

Hyrja për artdashësit është pa pagesë dhe rezervimi bëhet në aplikacionin: teater.arkiva.gov.al.

/ata