…Rrezet e para të diellit nisën të përkëdhelin faqen e malit përballë. Vesa rëndonte mbi kryet e barit, që ngjante si një qilim i gjelbër, të cilin të vinte keq ta shkelje. Nga dritarja shquanim vizitorët e parë të mëngjesit në restorantin e bujtinës nga ku oxhaku kishte nisur të lëshonte tymin e bardhë. Në largësi, një qen dëgjohej duke lehur, po kryente detyrën e tij, largimin e çdo rreziku të mundshëm që mund t’i kanosej “mikeshave” të tij leshatore, që kishin nisur të kullotnin. Një mace qëndronte tek dritarja e dhomës sonë. Ishte lozonjare, kërkonte vëmendjen tonë, ose të ndonjë vizitori tjetër bujar për ta përkëdhelur gëzofin e saj, por pse jo dhe krenarinë që macet e kanë me tepri.

Në restorant zjarri i oxhakut dhuronte spektakël. Flakët kërcisnin lehtas, ndërsa nuanca e të kuqes, të verdhës apo të kuqerremtës ia linin vendin njëra-tjetrës.

“Mirëmëngjesi! Si fjetët? Uroj të keni kaluar mirë! -shqiptoi vajza që do të na shërbente, ndërsa linte menunë në tavolinën përpara nesh.

“Mirmëngjesi! Gjithçka shumë mirë. Në shqisat tona ende e kemi shijen e mirë të gostisë së një nate më parë”, – u përgjigjëm, teksa porositëm një “mëngjes tradicional shqiptar”, siç e kishin cilësuar në menu drejtuesit e bujtinës.

Mëngjes tradicional shqiptar, pranë zjarrit nga njëra anë dhe malit tej dritares nga krahu tjetër, lezetonte edhe më shumë.

Nisëm udhëtimin drejt Thethit, 50 minuta larg bujtinës në Bogë. Rruga gjarpërushe ishte kësaj radhe edhe me më shumë kthesa. Pjerrësia ishte e madhe. Pamja që na shfaqej përpara ishte sa madhështore, aq edhe magjepëse. Disa re të bardha shfaqeshin herë si ujëvarë, që ishte gati të rrëshkiste trupit të malit dhe herë si thinja të një vigani shekullor, që brenda tij mban sekretet e malësisë shqiptare dhe që ruan tingullin e çiftelisë dhe mbron me fanatizëm lahutën. Kullat, kisha dhe ndërtesat karakteristike të shtrira përbri lumit, ishin si një djep mes viganëve.

Mbërritëm në qendër të Thethit. Kisha karakteristike ishte e mbushur me turistë. Disa kishin zgjedhur adrenalinën e zip line, disa motorë off road, ndërsa të tjerë hiking për të soditur zonën. Ne i besuam metodës tradicionale dhe më të sigurt të të udhëtuarit, “këmbëve”, dhe ecëm drejt ujëvarës. Dy kilometra nga kisha, një kilometër nga “Kulla e Ngujimit”. Shtegu ishte një aventurë më vete, anash lumit që kalon mes përmes Thethit dhe vijon drejt “syrit të kaltër”, të cilin do ta shijojmë një ditë tjetër.

Gjatë rrugës drejt ujëvarës kaluam përmes një ure të vogël me dërrasa, me mbrojtëse të lyera me të kuqe. Shtegu ishte i shënjuar dhe nuk kishe vështirësi për ta arritur, ndërkohë në udhëtimin tonë njohëm turistë vendas e të huaj. Një çift suedez, që kishin zgjedhur të përdornin biçikletën për të përshkuar shtegun, arritën shpejt në përfundimin se duhej ti kthehen mënyrës “tradicionale” të të lëvizurit, me këmbë, pasi shtegu nuk ishte më rrugë fushore, por një shteg ku mund të gjeje ndonjë dhi që kulloste.

Me ndihmën e banorëve të zonës, çifti siguroi biçikletat dhe na u bashkua në ecje. Michael Young na rrëfeu se bashkë me zonjushën e tij kishin mbërritur në Theth me camper, ndërsa kishte kaluar mespërmes Europës nga Suedia, në Zvicër, Slloveni, Kroaci, Mal të Zi dhe Shkodër. “Mrekulli! – tha Young. – Këtu është nëntor dhe dielli shkëlqen sikur të ishte verë. Është ngrohtë, por dhe fresk kur je në hije, fiks koha e duhur për të shijuar natyrën. Ne erdhën para dy ditësh dhe ndaluam këtu, pasi kemi dëgjuar se është një vend për t’u vizituar. Do qëndrojmë rreth 3 netë këtu dhe pastaj do të vazhdojmë për në Tiranë dhe më tej drejt jugut, për të vijuar në Greqi. Po bëjmë një tur ballkanik.”

Ai shtoi se për Shqipërinë kishte dëgjuar në media. “Flitet shumë në rrjete, media, blogje turizmi. Është një destinacion i rëndësishëm në Evropë. Erdhëm ta shohim dhe mund të themi që ato që kemi dëgjuar janë të vërteta”, – vijoi djali.

Ndërsa ecnim, Young na rrëfeu se objektivi ishte kalimi Theth-Valbonë, i cili zgjat rreth 8-9 orë në ecje. “Ndoshta do ta bëjmë deri tek pika më e lartë dhe kthehemi, ose ndoshta do dalim në Valbonë për t’u kthyer një ditë më vonë. Do e shohim si do na këshillojnë banorët e zonës”, – u shpreh suedezi.

Mbërritëm tek ujëvara. Radha për foto nuk ishte e vogël, ndërsa suedezët nuk humbën kohë, u zhveshën, e me rroba banje u hodhën në ujë. “Unë jam larë dhe në ujë me akull. Këtu është tetë gradë uji”, – tha ai duke parë orën e tij smart. “Është vërtet kënaqësi të shijosh këtë ujë, këtë ujëvarë dhe këtë pamje që të rrethon”, – u shpreh Young.

E në fakt, pamja ishte e papërshkrueshme. Uji vërshonte nga lartësia e Alpeve në brendësi të saj. Ngjyra blu e errët në qendër zbehej drejt anës. Kristal i pastër. Fshihej poshtë gurëve, disa të thepisur e disa jo për të gjetur rrugëtimin dhe për të vijuar poshtë shpatit, drejt luginës. E ndërsa shquaje ujëvarën dhe më pas ktheje lehtas kokën, përpara të shfaqej një varg i “pafundëm” malesh, që i linin vendin njëri-tjetrit.

Kthimi ishte për “gjunjë të fortë”, e përqendrim të madh, tatëpjeta nuk ishte e vogël për t’u kapërdirë, por ia dolëm të kthehemi në qendër të Thethit, ku kishim lënë makinën dhe vijuam rrugën për Tiranë./ata