Tirana është kthyer në një atraksion për turistët e huaj, por edhe banorët e saj, dhe vizitorët nga qytete të tjera mund të argëtohen në aktivitete të ndryshme në çdo ditë të javës.
Sipas, Ketrina Jarazit, drejtoreshë e Drejtorisë së Turizmit pranë Bashkisë së Tiranës, referuar edhe shifrave zyrtare të INSTAT, kryeqyteti shqiptar e mbylli turizmin për periudhën nga janari deri në tetor të këtij viti me afro 9.680.030 turistë, ose 16,7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Jarazi, e intervistuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, foli jo vetëm për sektorët më të prekshëm të turizmit në Tiranë, por edhe për aktivitet e pritshme dhe gjithçka që parashikohet deri në mbyllje të këtij viti.
Sipas Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024-2030, cili është vizioni juaj për turizmin në Tiranë?
Tirana, ashtu si Shqipëria, ka zgjedhur qartësisht modelin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, bazuar në tre aspekte themelore, siç janë ato mjedisore, sociale dhe ekonomike. Shqipëria është destinacioni i ri më emocionues në Evropë, që ofron vlerën më të mirë bazuar në aspektet e cilësisë, gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë. Ky vizion strategjik për turizmin në Shqipëri bazuar në parashikimet deri në vitin 2030 përbën themelin mbi bazën e të cilit do të ndërtohen dhe harmonizohen të gjitha nismat strategjike edhe për turizmin në gjithë territorin e Tiranës me nevojën e menjëhershme për transformim strategjik si dhe për të ndërtuar një sektor më të begatë dhe fitimprurës. Tirana po njihet me shpejtësi si qyteti dhe destinacioni i ri më atraktiv në Evropë, duke tërhequr vizitorët dhe turistët e shumtë me ndërthurjen e tradicionales me modernen, me jetën aktive të natës, me kulinarinë, me peizazhet mahnitëse përreth saj, etj. Shpallja e Tiranës “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025” nga Unioni për Mesdheun, një organizëm ndërqeveritar me 43 shtete anëtare, të gjithë shtete të BE-së, përbën një angazhim shumë të madh për kryeqytetin dhe Bashkinë e Tiranës. Ky titull gjatë vitit 2025 synon ta kthejë Tiranën në një urë që lidh qytetet dhe kulturat midis vendeve të rajonit të Mesdheut. Aktivitetet që do të ndërmerren gjatë vitit 2025 do të jenë në fokusin e bashkëpunimit midis gjithë aktorëve kombëtarë e ndërkombëtarë të cilët merren me çështjet e kulturës dhe dialogut. Organizimi i këtyre aktiviteteve do të sjellë përveç të tjerave edhe rritjen e numrit të vizitorëve dhe turistëve në kryeqytet.
Cilët janë sipas jush sektorët e turizmit më të vlerësuar nga turistët e huaj, bazuar edhe në shifra? Pra, turizmi kulturor, ai historik, malor?
Bashkia e Tiranës në të gjithë territorin e saj inkurajon dhe mbështet zhvillimin e disa llojeve të turizmit si turizmi historiko-kulturor, turizmi MICE, turizmi rural, agroturizmi, turizmi i aventurës dhe i natyrës, turizmi i gastronomisë, turizmi mjekësor etj.
Rreth 90% e turistëve të cilët vizitojnë kryeqytetin janë të interesuar për turizmin historik, sidomos për periudhën e ish-komunizmit në Tiranë dhe Shqipëri. Interes të lartë tregojnë ata për muzetë e kësaj periudhe, siç është “Shtëpia me Gjethe”, BunkArt 1 dhe 2 të cilët rezultojnë edhe muzetë më të vizituar në Tiranë. Por, përveç tyre, krijimi i disa muzeve të rinj të lidhur me periudhën ish-komuniste ka tërhequr vëmendjen e turistëve. Kështu muze të tillë si: Shtëpia Studio Kadare-Agolli që është një muze vendor nën administrimin e Bashkisë Tiranë ka zgjuar interesin e vizitorëve të huaj. Por, mund të themi se 90% e turistëve janë të interesuar edhe për kulinarinë tradicionale tiranase me gatime tipike të zonës duke u përfshirë këtu edhe agroturizmat në zonat përreth Tiranës.
Tirana përfshin një territor mjaft të gjerë, me 13 Njësi Administrative të rrethinave të saj, të cilat janë të pasura me histori dhe me peizazhe të mahnitshme, me male dhe ujëvara, shpella e lugina, ku zhvillohet turizmi i aventurës dhe ai i natyrës. Ky lloj turizmi frekuentohet më tepër nga turistët e rinj, por ka edhe mosha mesatare të interesuara dhe rreth 50% e turistëve që vijnë në Tiranë janë të interesuar për këtë lloj turizmi (marshime, ecje, ngjitje malore, etj).
Sa është numri i turistëve që vizituan Tiranën nga muaji janar deri në fund të tetorit?
Referuar të dhënave nga INSTAT numri i të huajve të ardhur në periudhën 9-mujore janar- shtator 2024 është 9.680.030 turistë, ose 16,7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. I referohemi këtij burimi, sepse pothuajse të gjithë të huajt që vizitojnë Shqipërinë vijnë në Tiranë.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për numrin e turistëve deri në mbyllje të 2024-ës?
Tirana ka një turizëm gjithëvjetor, gjë që shton peshën dhe ndikimin e saj në zhvillimin e turizmit në gjithë vendin. Kështu numri i turistëve do të jetë i lartë edhe për muajt në vijim, duke parashikuar një rritje mbi 18% më të lartë se një vit më parë.
Cilët janë sektorët ku Bashkia Tiranë ka investuar më shumë në pjesën e turizmit?
Infrastruktura rrugore e cila lidh kryeqytetin me zonat rurale është një nga investimet që Bashkia e Tiranës ka kryer në ndihmë të turizmit në këto zona. Përmirësimi i kësaj infrastrukture rrugore ka sjellë zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave edhe nga turizmi për zonat si Zall-Herr, Zall-Bastar, Petrelë, Farkë, Shëngjergj, Dajt, etj.
Një investim tjetër i lidhur direkt me zhvillimin e turizmit vendor është vendosja e sinjalistikës turistike në të gjitha njësitë administrative të rrethinave të Tiranës. Është siguruar pajisja me tabela informuese – orientuese me hartë e zonave rurale, si dhe pranë disa monumenteve të kulturës janë vendosur tabela informuese, si te kalaja e Ndroqit, kalaja e Petrelës, kalaja e Dorëzit, Tyrbja e Nuses, Varri Monumental në Përsqop, etj. Ky investim ndihmon në promovimin e turizmit rural dhe trashëgimisë kulturore në gjithë trevën e Tiranës, rijetësimin e Tiranës rurale dhe mundësimin e aksesueshmërisë për vizitorët vendas dhe të huaj. Nëpërmjet tij u bë e mundur rritja e vizibilitetit për monumentet e kulturës, monumentet e natyrës dhe atraksionet, si dhe nxitja dhe zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm në gjithë territorin e Bashkisë Tiranë.
Turizmi, mbetet një nga shtyllat kryesore edhe të ekonomisë dhe rritjes së saj. Referuar shifrave, sa të ardhura i ka sjellë turizmi buxhetit deri në fund të tetorit?
Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore të ardhurat nga taksa e fjetjes në hotel, e cila mblidhet dhe administrohet nga Bashkia Tiranë, në periudhën janar-dhjetor 2023 të ardhurat nga kjo taksë krahasuar me janar-dhjetor 2022 janë rritur me 21%. Kurse për periudhën 9-mujore janar-shtator 2024 këto të ardhura janë rritur me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Siç shihet tendenca e tyre është rreth 25% rritje.
Sipas operatorëve turistikë, a ka edhe punonjës të huaj të angazhuar në sektorin e turizmit në subjekte të ndryshme në Tiranë dhe sa është ky numër?
Nga takimet dhe bashkëpunimet tona me operatorët turistikë dhe shoqatat e tyre në Tiranë ka edhe punonjës të huaj të angazhuar në sektorin e turizmit. Më tepër ata janë të vetëpunësuar si guida ose dhe në disa bashkëpunime me tur-operatorë të huaj.
A ka mungesa të fuqisë punëtore, për të plotësuar të gjithë fushën e turizmit në kryeqytet?
Turizmi si degë e ekonomisë përfshin disa sektorë të industrisë së shërbimeve siç është hoteleria, transporti, tur-operatorët, guidat, restorantet, klubet, etj. Bashkia e Tiranës edhe në këtë fushë është e impenjuar për t’u krijuar sa më shumë mundësi të rinjve për të hyrë në tregun e punës edhe në turizëm nëpërmjet programeve mbështetëse siç është “Fito një intership” duke i ndihmuar me realizimin e projekteve për start-up, etj.
Sipas të dhënave zyrtare nga Global Data, 30.9 milionë netqëndrime ndërkombëtare kanë qenë në Shqipëri për vitin 2023. Sa prej tyre kanë qenë të përqendruara në kryeqytetin shqiptar?
Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore numri i netqëndrimeve në hotele dhe struktura të ngjashme në gjithë territorin e Tiranës pësoi një rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2023 me mbi 18,4%, krahasuar me vitin 2022 dhe 91,7% krahasuar me vitin 2021. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se statistikat e DPTTV marrin në konsideratë vetëm njësitë e regjistruara të akomodimit.
Cilët sektorë të turizmit pritet të kenë interes më të madh në muajt e ardhshëm?
Në muajt e ardhshëm dhe në vijimësi interes të madh do të ketë turizmi historik dhe ai i aktiviteteve, duke mbajtur parasysh që nëntori është muaji i festave kombëtare dhe do të shoqërohet me aktivitete e koncerte. Por, përveç tyre, me interes është dhe turizmi malor, sidomos ngjitja me teleferik edhe në muajt e dimrit në malin e Dajtit, si një atraksion mjaft i kërkuar nga turistët.
/ata