Eric Schmitt, Senatori i Misurit dhe një aleat i ngushtë i Donald Trump, mund të jetë prokurori i përgjithshëm i ardhshëm i SHBA-së.
Sipas CNN, Schmitt, i cili shërbeu si prokuror i përgjithshëm i Misurit, ka luajtur një rol të rëndësishëm në betejën e qeverisë kundër kompanive të mëdha teknologjike që akuzoheshin për censurimin e konservatorëve.
Ai është një prej personave që ka besuar dhe mbështetur shumë Trump, përfshirë në përgatitjen e tij për debatet presidenciale kundër Joe Biden dhe Kamala Harris. Schmitt gjithashtu ka pasur një rol të shquar në Kongresin Kombëtar të Partisë Republikane dhe ka qenë prezent në Mar-a-Lago gjatë natës së zgjedhjeve.
Kujtojmë se Trump ka shprehur gjithmonë se roli i prokurorit të përgjithshëm është më i rëndësishmi në administratën e tij. Presidenti i ardhshëm ka deklaruar, si në biseda private ashtu edhe publike, se beson që Departamenti i Drejtësisë nuk duhet të funksionojë në mënyrë kaq të pavarur, por në vend të kësaj, ai dëshiron të punojë ngushtë me prokurorin e tij të përgjithshëm për të realizuar qëllimet e tij ligjore.
Në këtë kuadër, Trump gjithashtu ka theksuar se është i justifikuar të kërkojë hakmarrje kundër armiqve të tij politikë dhe të ndërmarrë hapa ligjorë kundër tyre.
Pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, Trump ka shpesh shprehur pendesën për zgjedhjen e prokurorëve të tij të përgjithshëm gjatë mandatit, duke përmendur veçanërisht Jeff Sessions dhe William Barr. Ai ka thënë se një nga gabimet më të mëdha që ka bërë ishte zgjedhja e këtyre individëve për të mbajtur këtë pozita kyçe në administratën e tij.
Për këtë arsye, kushdo që Trump do të zgjedhë për të pasuar pozitat e prokurorit të përgjithshëm do të jetë një person të cilin ai e beson thellësisht dhe që ai beson se do të jetë i besueshëm dhe besnik ndaj tij./SyriNet