“Nuk kam ndërmend të përplasem me qeverinë, është qeveria që do të përplaset me mua dhe unë dua ta shmang. Kështu është shprehur kryetarja e Magjistraturës Demokratike, Silvia Albano, njëkohësisht gjyqtare e seksionit të emigracionit në gjykatën e Romës.
Deklarata e saj u bë në margjinat e konferencës së Magjistraturës Demokratike në Romë, ku ndër të tjera Albano tha se nuk mundet që gjytarët që bëjnë punën e tyre të etiketohen si ‘Gjykatës komunistë’.
Sipas saj, ky etiketim është shqetësues, sa i përket demokracisë italiane dhe të ardhmes së vendit.
"Fakti që ata që përpiqen të zbatojnë Kushtetutën quhen 'gjykatës komunistë', më shqetëson shumë për gjendjen e demokracisë sonë dhe të ardhmen e saj. Në xhepat tanë nuk kemi librezën e Maos apo Kapitalin e Marksit, por Kushtetutën".
Për tensionet në rritje mes qeverisë Meloni dhe trupës së gjytarëve ka pasur reagime të shumta në radhët e togave të zeza. Për mosmarrëveshjet mbi emigrantët janë bërë deklarata unanime nga të gjitha komunitetet e juristëve, nga Unioni i Dhomave Penale e deri te shoqatat e profesorëve të drejtësisë të Bashkimit Evropian.
Të gjithë e mbështetën atë për supremacinë e ligjit evropian, nuk mund të bëhet asgjë për këtë, theksoi ndër të tjera, Silvia Albano, në konferencën e 60-të, të Magjistraturës Demokratike në Romë./SyriNet