Jola Hysaj, Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, gjatë një interviste në Edicionin e Pasdites në Syri Tv me moderatorin Arnold Karriqi, ngriti sërish shqetësime lidhur me çështjen e transportit dhe sigurisë së mbetjeve toksike në Porto Romano.

Ajo theksoi se ky proces ka ngjallur dyshime të shumta për shkak të mungesës së transparencës dhe të dhënave zyrtare. Sipas saj, një pjesë e këshillit bashkiak ka kërkuar informacion shtesë dhe prezencën e ekspertëve të pavarur gjatë transportit të kontejnerëve. Megjithatë, kërkesat e tyre kanë mbetur pa përgjigje.

Kjo situatë, sipas Hysajt, thellon pasigurinë dhe mund të rrisë rrezikun për qytetarët. Për më tepër, ajo shprehu shqetësimin për mënyrën se si po menaxhohet kjo çështje, duke e quajtur një kërcënim për ekosistemin dhe sigurinë e banorëve të zonës.

'Ajo që na alarmon dhe nga ana tjetër na lindin qindra mijëra dyshime të tjera, më shumë sesa ç’kishim edhe më parë, është mënyra sesi janë transportuar dhe masat e sigurisë të marra ndaj tyre.

Në dijeninë tonë, një pjesë e këshillit bashkiak ka kërkuar dhe ka bërë një shkresë që të ketë më shumë të dhëna lidhur me atë çfarë po ndodh pikërisht me këto mbetje toksike. Gjithashtu, ata kërkuan të ishin prezentë gjatë kohës që transportoheshin në Porto Romano. Por përgjigje nuk iu kthye në asnjë moment.

Nga ana tjetër, nuk kemi informacione nëse është bërë ajo që është kërkuar, pra praninë e ekspertëve të pavarur, pasi prezenca e tyre do të garantonte, deri diku, kontroll mbi përmbajtjen e këtyre kontejnerëve.

Pra, ka shumë dyshime dhe nuk dimë nëse janë mbajtur procesverbalet e para apo të tjera, në të gjitha portet ku kanë ndaluar këto kontejnerë, përfshirë edhe anijen që i solli. Nuk kemi informacion nëse janë bërë procesverbale gjatë transportimit të tyre drejt Porto Romanos.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë gjithnjë e më shumë informacione, por është gjithnjë e më e vështirë, siç ndodh shpesh në Shqipëri, kur në përditshmëri përballemi me përpjekje për bllokim dhe heshtje lidhur me të dhënat e hetimeve. Në këto kushte, rreziku bëhet edhe më i madh.

Sipas dijenisë sime, fillimisht u propozua që asgjësimi i këtyre kontejnerëve të bëhej në det të hapur, duke mos marrë parasysh dëmet për ekosistemin, për ujërat, ajrin dhe tokën.

Aktualisht mendohet që vendosja e këtyre kontejnerëve në Porto Romano mund të jetë një zgjidhje e përkohshme, megjithëse ende nuk dimë se çfarë përmbajnë dhe sa e lartë është shkalla e rrezikut për qytetarët e Durrësit dhe për ata që banojnë në zonën e Porto Romanos. Nuk dimë nëse do të groposen apo asgjësohen në heshtje, siç ka ndodhur shpesh në Durrës.' - u shpreh Hysaj./SyriNet