Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur këtë të diel grumbullimin në "Shtëpinë e Futbollit" në kryeqytet. Edhe pse zyrtarisht stërvitja nis të hënën, lojtarët që kanë luajtur me ekipet e tyre dhe nuk kanë pasur angazhime janë bashkuar në grumbullim.
Në stërvitjen e parë të lehtë kanë qenë disa emra. Alen Sherri, pasi debutoi në Seria A me Cagliarin në atë barazim 3-3 kundër Milanit është parë i qeshur, njësoj si Ismajli dhe Ramadani. Edhe Arbër Hoxha dhe Feta Fetai udhëtuan nga Kroacia dhe janë pjesë e grupit.
Shqetësuese për stafin teknik vijon të jetë gjendja e Manajt, Kumbullës dhe Bares, që janë të dëmtuar, ndërsa këtë të diel me Atalantën një lëndim pësoi edhe Berat Gjimshiti.
Kujtojmë se kuqezinjtë luajnë dy ndeshjet e fundit në Grupin B1 të Ligës së Kombeve më 16 dhe 19 nëntor në Tiranë kundër Çekisë dhe Ukrainës./Shqiptarja