Trajneri Jean-Denys Choulet është prezantuar si trajner i ri i ekipit kombëtar të Kosovës në basketboll për një mandat trevjeçar.
Në një konferencë për media, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) prezantoi Chouletin, i cili arriti në Kosovë më 8 nëntor.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku tha se trajneri Choulet ka shumë përvojë ndërkombëtare dhe kjo përvojë do t’i ndihmojë ekipin kosovar në ndeshjet shumë të rëndësishme për muajin nëntor.
Dushku shtoi se "Dardanët" do të bëjnë çmos për dy sfidat e nëntorit dhe është optimiste për rezultate pozitive.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së falënderoi Sponsorin Gjeneral të Përfaqësueseve të Kosovës, Bankën TEB, për përkrahjen e vazhdueshme për basketbollin e Kosovës, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila ndihmon projektet e FBK-së dhe basketbollin vendor.
- "Pas disa stërvitjeve do të kemi një pasqyrë më të qartë të grupit"
Përzgjedhësi i ri Choulet është shprehur se do të mundohen për paraqitje dhe rezultate pozitive.
"Jam shumë i nderuar që jam këtu dhe të jem përzgjedhës i Kosovës. Kam shikuar disa ndeshje në fundjavë dhe përshtypja e parë është pozitive. Kemi një grup interesant dhe do të mundohemi të japim më të mirën tonë. Shpresoj se do të fitojmë të paktën një sfidë dhe më pas në muajin shkurt të vitit të ardhshëm të kërkojmë kualifikimin. Gjithsesi pas disa stërvitjeve do të kemi një pasqyrë më të qartë të grupit", theksoi ai.
Choulet ka drejtuar shumë skuadra franceze në basketboll, duke u shpallur kampion në nivel kombëtar dhe ka pasur përvoja në arenën evropiane.
Kosova e cila ka një fitore dhe një humbje në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027, në muajin nëntor do të zhvillojnë dy ndeshje si mysafirë, më 21 nëntor me Zvicrën dhe më 24 nëntor me Irlandën.
Sfidat e fundit për "Dardanët" do të jenë në shkurt të vitit 2025, ku do të presin Zvicrën dhe Azerbajxhanin./aa