Vazhdon puna për largimin e automjeteve në Valencia të Spanjës, ku mbi 100 mijë automjete u dëmtuan nga përmbytjet dhe u grumbulluan në rrugë, garazhe dhe autostrada.

Zonat ku grumbullohen automjetet e dëmtuara ngjajnë me një varrezë makinash.

Sipas të dhënave të fundit, numri i konfirmuar i vdekjeve nga përmbytjet në Spanjë është rritur në 223.

Ndërkohë, në zonën e prekur vazhdojnë përpjekjet e mëdha të pastrimit. Në provincën e Valencias janë prekur 75 komuna dhe 450 mijë hektarë tokë.

Shumë ditë pas katastrofës, pjesa më e madhe e zonës mbetet e mbuluar me baltë dhe mbeturina.

Pavarësisht punës së vullnetarëve të panumërt, dislokimit të rreth 8.500 ushtarëve dhe rreth 10 mijë policëve, që sipas shifrave të qeverisë është dislokimi më i madh në Spanjë në kohë paqeje, dhjetëra njerëz ende shpëtohen çdo ditë.

Deri më tani, qeveria e Spanjës ka ofruar 10.6 miliardë euro në kredi dhe ndihmë për të ndihmuar në rindërtimin e zonës së shkatërruar.

Përmbytjet u shkaktuan nga një sistem stuhish që qëndroi mbi Spanjë për më shumë se një javë, duke shkaktuar përmbytje në zona të tjera si Cadiz, Barcelona dhe Girona./aa