Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka zhvilluar bisedë telefonike me Donald Trumpin, i cili u zgjodh presidenti i 47-të i SHBA-së dhe se ai nuk kishte asnjë plan për këtë çështje.
Në një deklaratë për gazetarët në Moskë, Peskov ka mohuar lajmin e "Washington Post" se "Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Trump ka zhvilluar bisedë telefonike me Putinin dhe se ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në luftën Rusi-Ukrainë".
"Nuk ka patur një bisedë të tillë. Ky informacion nuk bazohet në fakte, është trillim. Ky është një informacion i rremë", theksoi Peskov.
Në pyetjen nëse Putini po planifikon apo jo të telefonojë Trumpin, Peskov tha se "Nuk ka ndonjë plan për këtë çështje".
Zëdhënësi i Kremlinit tha se Putini nuk planifikon të kontaktojë liderët perëndimorë. Ai vuri në dukje se nuk kanë marrë asnjë sinjal për këtë çështje, por se janë të hapur për këtë.
Peskov tërhoqi vëmendjen se vendet evropiane vazhdojnë të veprojnë në drejtim të "disfatës strategjike të Rusisë" dhe shtoi se Rusia po vazhdon një "operacion special ushtarak" në Ukrainë.
"Në Evropë është vërejtur tension dhe frikë pasi Trump u zgjodh president i SHBA-së", shtoi ai./aa