Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar deklaroi se "është shënuar përparim i caktuar" në çështjen për arritjen e armëpushimit me Hezbollahun në Liban.
Në pyetjen e gazetarëve lidhur me procesin për arritjen e armëpushimit në Liban, Saar u përgjigj "ka një përparim të caktuar".
Ai tha se sulmet kundër Hezbollahut vazhdojnë dhe se do të punojnë me SHBA-në për të arritur armëpushim në Liban.
- Pretendon se "krijimi i një Palestine të pavarur është jorealist"
Ministri izraelit pretendon se "do t'u japin fund sulmeve kundër Rripit të Gazës pasi Tel Aviv të arrijë të gjitha objektivat e tij". Ai pretendon se palestinezët në veri të Gazës që janë zhvendosur mund të kthehen pas përfundimit të sulmeve ndaj rajonit.
Duke pretenduar se krijimi i shtetit të pavarur të Palestinës është "jorealist", Saar mbroji idenë e tij se nuk ka një vendim në lidhje me "aneksimin" e disa pjesëve të Bregut Perëndimor nën pushtim.
Ndërsa për çështjen e Iranit, Saar tha se çështja më e rëndësishme për të ardhmen e Lindjes së Mesme është që "Teherani të pengohet nga posedimi i armës bërthamore".
Saar tha se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump "e ka theksuar qartë se i kupton rreziqet e Iranit për të poseduar armë bërthamore".
Mediat izraelite raportojnë se ministri i çështjeve strategjike, Ron Dermer dje ka shkuar në SHBA për të diskutuar lidhur me armëpushimin me Hezbollahun në Liban.
Po ashtu ishte informuar se Dermer ka planifikuar të takohet me Trumpin./aa