Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh në lidhje me punën e Ministrisë së Drejtësisë për rregullimin e tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

Në postimin e tij, Manja thekson arritjet e përfshira në raportin vjetor të CEPI (Asociacioni Evropian i Profesionit të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme), ku përshkruhet angazhimi i ministrisë në rritjen e transparencës dhe forcimin e kuadrit rregullator sipas standardeve evropiane.

 

Ministri vuri në dukje se nga ligji i ri për ndërmjetësimin e pasurive të paluajtshme janë formalizuar dhe licencuar 1589 ndërmjetës, të cilët tani janë pjesë e Regjistrit të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, të publikuar në faqen zyrtare të ministrisë. Ky hap synon garantimin e një tregu të sigurt dhe të formalizuar, ku qytetarët dhe investitorët kanë akses për të verifikuar aktivitetin dhe performancën e ndërmjetësve.

Manja gjithashtu theksoi rëndësinë e trajnimeve për ndërmjetësit e licencuar, që po zhvillohen në bashkëpunim me universitete elitare. Këto trajnime kanë për qëllim rritjen e profesionalizmit dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për një shërbim më të sigurt dhe transparent.

“Në Raportin e mëparshëm të vitit 2022, kemi qenë në hapat e parë të rregullimit të këtij profesioni dhe hapësira që i dedikohej Shqipërisë ka qenë vetëm në kuadrin e informacionit të përgjithshëm. Ligji i ri synonte garantimin e ushtrimit të profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, si një profesion i lirë dhe i rregulluar në përmbushje të qëllimit për ndërmjetësimin e veprimeve juridike për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose të drejtave reale mbi to në përputhje me legjislacionin në fuqi”, shkruan Manja.

“Sot, mbas dy vitesh, jam krenar që kemi mundur të ndërgjegjësojmë 1589 ndërmjetës të pasurive të paluajtshme të licencohen dhe formalizojnë tregun, duke ushtruar këtë veprimtari konform rregullave ligjore. Secili prej tyre sot, është pjesë e Regjistrit të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, ku qytetarët kanë akses për t’u njohur me veprimtarinë dhe me performancën e tyre”, shtoi ai.

“Si një profesion që në objekt ka veprimet juridike me pasuritë e paluajtshme, ne i kemi dedikuar një rëndësi të veçantë trajnimeve të detyrueshme, duke autorizuar universitete elitare me kurikula të përzgjedhura, për të bërë të mundur aftësimin dhe përgatitjen profesionale të ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, të cilët certifikohen nga autoriteti shtetëror përgjegjës, Ministri i Drejtësisë”, vijon Manja.

Ai thekson se “për të kontrolluar situatën në treg, struktura përkatëse e Ministrisë së Drejtësisë, ka zhvilluar inspektimet e para lidhur me verifikimin dhe evidentimin e zyrave që ushtrojnë aktivitet ndërmjetësimi të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Nga inspektimet në terren konstatohet qartë që situata është drejt formalizimit të një tregu me standarde evropiane. Natyrisht që ka problematika por puna e bërë dhe rezultatet e arritura deri tani janë premtuese. Struktura monitoruese është plotësuar dhe me krijimin e Komisionit Disiplinor, që shqyrton kërkesat e Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme dhe me vendosjen e masave disiplinore, ligji përkatës është i zbatueshëm plotësisht.”

“Dua të theksoj se implementimi i këtij legjislacioni ka sjellë rritje të transparencës dhe formalizimit të tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, duke ndihmuar në krijimin e një klime më të sigurt për qytetarët, bizneset dhe investitorët. Angazhimi i autoriteteve për certifikimin e ndërmjetësve ka përmirësuar ndjeshëm standardet profesionale dhe ka kontribuar në luftën kundër pastrimit të parave. Ndërhyrjet ligjore dhe inspektimet e kryera jo vetëm kanë garantuar respektimin e standardeve profesionale, por gjithashtu kanë forcuar përpjekjet kundër aktiviteteve të paligjshme si pastrimi i parave.

Në vijim, pritet që zbatimi i këtyre masave të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë së ushtruar nga ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme dhe forcimin e mekanizmave rregullatorë për të mbrojtur integritetin e tregut”, përfundon fjalën e tij Manja./Lexo