Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, nga selia blu, e cilëson falso konkursin e ndërmarrë nga policia e Shtetit për përzgjedhjen e drejtuesve të Policisë në qarqe.

Noka gjatë një deklarate për mediat u shpreh se, “konkurset fake për drejtorët e qarqeve, tregojnë edhe njëherë se Policia e Shtetit, me në krye kapterin e bandave Ilir Proda, ka një plan të zi dhe të mirëmenduar: të drejtohet nga ushtarë e bandave të narkotrafikut.

Nuk ka asnjë konkurs, asnjë garë, por vetëm emërime me porosi dhe shpërblim të Ilir Prodës dhe Ardi Veliut, të njerëzve që nuk do u hapin telashe në partneritetin që kanë me bandat, që do të ndajnë fitimet me ta dhe që do të luftojnë opozitën në protesta dhe zgjedhje”, u shpreh Noka.

Sipas Nokës, “i pari në narko-listë është Vilson Bala, drejtori i Operacionales, i cili po shpërblehet për lidhjet me krimin dhe arrestimin terrorist të ish-presidentit Meta. Për ju që nuk e dini, Bala është shok klase i Prodës dhe ushtar i Neritan Nallbatit, i shkarkuar pikërisht për lidhje me bandat dhe krimin.

Në vend të Balës të Operacionalja do të vijë një tjetër ushtar i bandës në pushtet, Loard Sallaku, shefi i Komisariatit nr 2, i cili përveçse i lidhur me krimin ngarkohet me detyrën e lartë edhe si favor për Irena Gjokën, gjyqtaren me shumë mbiemra. Bashkëshortja e Sallakut është sekretare e Gjokës në GJKKO”.

Sekretari i Përgjithshëm i PD u shpreh se “profilet e drejtorëve të qarqeve dhe ushtarëve të tjerë të krimit në detyra kyçe, sidomos atyre në pika të rëndësishme ku lëvizin interesa të mëdha kriminale nëpërmjet porteve, doganave dhe pikave kufitare apo akseve rajonale, dëshmojnë qartë se cili është plani i Prodës dhe pse ka ardhur ai në krye të Policisë së shtetit. Çdo emërim i këtyre narko-policëve në krye të qarqeve dhe policëve të ndershëm të Policisë së Shtetit është një kërcënim për rendin publik dhe shtetin vetë.

Partia Demokratike ka vetëm një mesazh: lidhjet e krimit me policinë dhe qeverinë do të ndërpriten dhe të gjithë vepruesit dhe përfituesit e kësaj skeme do të marrin përgjigjen dhe dënimin e merituar.

Komisioni parlamentar i së Vërtetës dhe qeveria teknike, për të shkëputur policët dhe qeveritarët nga krimi dhe këtë të fundit nga zgjedhjet, janë detyra jonë patriotike dhe do të bëhen”, përfundon Noka deklaratën e tij./ata