Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Baku të Azerbajxhanit, ku po merr pjesë në sesionin e 29-të të Konferencës së Palëve (COP29) të Konventës të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
Rama ndau në rrjetet sociale Foton Familjare nga Samiti Botëror për Klimën, COP29, i cili zhvillohet në Baku nga data 12-13 nëntor 2024.
Një pritshmëri kryesore nga Samiti i Liderëve Botërorë të Veprimit për Klimën është marrëveshja për një Objektiv të Ri Kolektiv të Kuantifikuar (NCQG) të drejtë dhe ambicioz për financimin e klimës.
Katërmbëdhjetë nismat e propozuara nga Presidenca e COP29 përfshijnë integrimin e veprimit klimatik me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, zhvillimin e korridoreve të energjisë së gjelbër, krijimin e zgjidhjeve të ruajtjes së energjisë së gjelbër, avancimin e hidrogjenit të pastër, reduktimin e metanit nga mbetjet organike dhe promovimin e veprimit digjital të gjelbër.
Këto iniciativa synojnë të gjenerojnë financa për klimën, thelbësore për përmbushjen e objektivit të ngrohjes globale prej 1,5°C dhe për të siguruar një përgjigje të unifikuar globale ndaj ndryshimeve klimatike./ata