Kryetarja e Autoriteti Për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve për projektbuxhetin e vitit 2025, kërkoi më shumë fonde për realizimin e projekteve.

Sula tha se kërkesat buxhetore të Autoritetit të Dosjeve janë përmbushur me 57%, ndërsa shtoi se kërkohen fonde shtesë për realizimin e 3 projekteve kombëtare.

Duke folur për hapjen e mëtejshme të dosjeve, Sula tha se kjo kërkesë nënkupton “përdorim më të mirë të teknologjisë për të shkuar në shkolla për të prekur moshat e vogla, si dhe për të shkuar në publik përmes të arkivës digjitale”.

“Projektet janë të dyja kombëtare. Synim është të mbërrijnë dhe në diasporë. Bëhet fjalë për platforma shumë masive”- tha Sula.

Një tjetër projekt për të cilin foli kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, ka të bëjë me kërkimin dhe gjetjen e të zhdukurve të komunizmit.

“Është problem i madh, sepse sot që flasim në morgun e Tiranës ndodhen mbetje mortore prej dhjetëra vitesh që nuk kanë ku vendosen dhe kemi propozuar krijimin e një varrezë momentale tranzitore në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës dhe shërbimet funerale. Do të jetë një varrezë murale monumentale, por edhe funksionale”- tha Sula.

Teksa e cilësoi si shqetësim përmbushjen e kërkesave buxhetore, Sula tha se nuk mund të heqin dorë nga kërkesat për shpenzimet esenciale bazë.

“Një nga shërbimet esenciale është siguria e sistemeve, mirëmbajtja e sistemeve teknologjike. Kemi një arkiv digjitale, kemi një sistem E-sallë së studimit, kemi një sistem te E-mbledhjeve, të trija këto kërkojnë siguri mirëmbajtje dhe është e nevojshme të shikohet një shtesë pagash”- tha Sula.

Relatori përgjegjës deputeti Klevis Xhoxhi tha se qeveria ka akorduar një fond prej prej 160 milionë lekësh për autoritetin.

Sipas Xhoxhit fondet janë shpërndarë në 132 milionë lekë paga dhe sigurime shoqërore, 26 milionë lekë për mallra dhe shërbime dhe 2 milionë lekë shpenzime për investime./ata