Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pritet të dëshmojë sot në Komisionin e Posaçëm të sterilizimit dhe Check Up-it në shëndetësi. Beqaj ndodhet në “Arrest me burg”, lidhur me një hetim të nisur nga Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion, SPAK, për çështje që lidhen me detyrat e tij si zyrtarë.
Por, para dëshmisë së Beqajt, punimet e këtij Komisioni kanë nisur me debate mes Kryetares së komisionit, deputetes së PD, Albana Vokshi dhe zv/kryetarit, deputetit të PS, Plarent Ndreca.
Vokshi kërkoi që punimet e këtij komisioni të mos mbyllen pa dëshmitë e kryeministrit Edi Rama dhe sipërmarrëses Vilma Nushi. Deputeti Ndreca, në cilësinë e zv/kryetarit të këtij komisioni hetimor, kërkoi që të nisin punimet, pasi Beqaj është një prej dëshmitarëve kryesorë në këtë çështje.
“Vlerësoj që nuk ka më vend, kemi kryer hetim, kemi marrë shkresa e dokumente, kemi thirrur dëshmitarë, është numër shumë i madh dëshmitarësh. Kemi sot dëshmitarin kryesor, Beqajn, i cili më shumë se kushdo tjetër do të japë të dhëna dhe dëshmi mbi procedurat që kemi si objekt hetimor. Duhet të vijojmë pa humbur kohë me Beqajn”, tha Ndreca.
“Beqaj është një prej dëshmitarëve, jo kryesor, çdo dëshmitar ka vlerën e vet. Të vijë Vilma Nushi. Nuk bëjmë hap pas, konsiderojmë kyç dëshminë e Edi Ramës dhe Vilma Nushit. Nuk kemi asnjë përgjigje nga Policia e Shtetit dhe asnjë njoftim dhe përgjigje nga ana e shtetasve italianë të thirrur në Komision”, tha Vokshi.
Sipas saj, “ata janë aksionerë të një kompanie që ka një koncesion dhe paguhet nga taksat e shqiptarëve dhe kanë detyrë të paraqiten në komision. Dhe pronari i “3P life” ka njoftuar që ndodhet jashtë vendit dhe vjen nesër mbrëma vonë dhe është i gatshëm të paraqitet në komision të enjten.
Të enjten është dhe afati i fundit i komisionit. Kemi pothuajse 10 dëshmitarë, dëshmia e të cilëve është e pamundur të ezaurohet ditën e sotme në mënyrë që ditën e nesërme të miratohet raporti dhe pastaj të vijonte me miratimin e seancës plenare. Gjithashtu ne si deputetë të opozitës kemi kërkuar që të paraqiten që ditën e parë Vilma Nushi dhe kryeministri Edi Rama”, shtoi Vokshi.
Kryetarja e këtij Komisioni hetimor, tha se priten të tjera dëshmi kyçe që mund të çojnë në zbardhjen e kësaj çështjeje.
“Gjithashtu kemi dhe shtetasin Artan Lleshi, Biba të cilët janë punonjës të komisioneve koncesionare të sterilizimit Sani Service dhe Arben Gjata. Janë minimalisht 10 dëshmitarë që dëshmia e tyre të realizohet. Si kryetare komisioni dhe duke u konsultuar me kolegët e mi deputetë, dua të informoj që e konsideroj të paplotë punën e komisionit hetimor, dëshmi të paezauruara. Janë kërkuar një sërë faktesh provash të cilat nuk i janë vënë në dispozicion këtij komisioni. Unë do doja të shqyrtojmë për të vendosur se çfarë do bëjmë me komision. Ne e gjykojmë që të kërkojmë një shtyrje tjetër. Ligji nuk e përcakton sa shtyrje, por të ezaurohen të gjithë hapat para se të mbyllet puna e këtij komisioni”, tha Vokshi.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Pendavinji u shpreh se komisioni duhet të vazhdojë punimet me rendin e ditës. “Ne kemi marrë një seri dëshmish. Unë besoj se nuk ka nevojë të thërrasim emra të tjerë, kur kemi të zotin e punës, ish-ministri Beqaj. Prandaj nëse gjejmë dakordësi, vijojmë me procedurën dhe marrim në pyetje dëshmitarët”, tha Pendavinji.
Deputetja e PD, Ina Zhupa tha se opozita nuk pranon të vendos fytyrën e saj pranë paligjshmërisë. “Nuk mund të vijojmë më me strategjinë që kur ka sukses është merita e qeverisë, kur nuk kapet me dardha e kumbuj, është përgjegjësi individuale”, tha deputetja Zhupa.
Deputeti i PS, Petro Koçi, u shpreh se kryeperla e deklaratë e ditës ishte ajo, që sipas të cilës, ish-ministri Beqaj nuk është dëshmitari kryesorë i këtij komisioni.
“Kryeperlë deklarata e kryetares së komisionit kur tha se ishte mbi palët. Sa herë flasim ne ndërhyn kryetarja dhe pastaj ja jep fjalën opozitës. Kryeperla tjetër ishte ajo që ish-ministri Beqaj nuk është dëshmitari kryesor për këtë proces hetimor. Kjo rrëzon shumë deklarata të tjera me klithma, pandehma për sa kohë që nuk ishte marrë nën arrest nga SPAK-u”, tha Koçi.
“Ky komision nisi me një axhendë personale, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës për t’i futur punimet e këtij komisioni në hulli të drejtë. Të kalojmë nga një proces partiak politik në një proces të rregullt ligjor, pasi komisioni ka dështuar plotësisht. Me afrimin e fundit të këtij komisioni, kurba e zvarritjes ka ardhur në rritje, me orë të tëra procedurë. Nëse nuk është hartuar raporti për këtë komision, atëherë ky do të ishte dështim. I gjithë projekti i opozitës për të justifikuar pandehmat e veta ka dështuar. Taktika e zvarritjes dhe alibia që nuk u konsumuan të gjithë dëshmitarët e vënë në planin hetimor ka rënë. Jam dakord që Rama dhe Nushi nuk janë hequr nga lista, por kjo ka ndodhur sepse ata nuk kanë qenë kurrë në listë. Nesër dita e fundit e këtij komisioni. Nuk do pranoja që të vazhdonim këtë farsë, që t’i kërkohej Kuvendit të shtyheshin punimet, me artifica që ky komision mund të thërrasë çdo person në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Koçi.”, tha Koçi.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi tha se janë dërguar zyrtarisht kërkesat për marrjen e dëshmisë së sipërmarrësen Vilma Nushi, dhe kryeministrin Edi Rama. Ajo tha se do kërkohet dhe shtyrja pa afat e komisionit hetimor.
“Kemi gati një kërkesë zyrtare për thirrjen e Edi Ramës dhe Vilma Nushit në komision, janë protokolluar si kërkesa. Shpresoj që edhe mazhoranca të rreshtohet në anën e drejtë të historisë. Ndërkohë, kemi bërë edhe një kërkesë konferencës së kryetarëve për shtyrjen e punimeve të komisionit, madje pa afat…Dëshmitarët duke ditur afatet, shtrohen në spitale apo bëjnë udhëtime jashtë shtetit”, përfundoi Vokshi./ata