Të paktën 21 palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmet që ushtria izraelite kreu në rajonet qendrore dhe veriore të Rripit të Gazës.

Sipas informacioneve të marra nga burimet shëndetësore, "një masakër e tmerrshme" u përjetua në sulmin që avionët luftarakë izraelitë kryen ndaj tre shtëpive në Beit Hanoun në veri të Rripit të Gazës. Dëshmitarët thanë se 13 persona kanë humbur jetën në sulmet ku ushtria izraelite bombardoi tre shtëpi që u përkisnin familjeve Abu Awde, Shabat dhe Kefarine në Beit Hanun.

Ushtria izraelite goditi një shtëpi në bulevardin Al-Jala në veri të qytetit të Gazës dhe si pasojë humbën jetën tre persona ndërsa shumë të tjerë u plagosën. Ushtria izraelite bombardoi gjithashtu një shtëpi në lagjen Al-Rahme në perëndim të kampit të refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Në një deklaratë me shkrim nga spitali "Al-Awde" thuhet se në sulm humbën jetën 3 persona ndërsa 11 të tjerë u plagosën. Sipas informacioneve të marra nga burimet shëndetësore një person ka humbur jetën në sulmin e njësive të artilerisë izraelite të cilat shënjestruan zonën Ez-Zenne në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Një person tjetër humbi jetën, pasi u plagos kur ushtria izraelite goditi dje një vend pranë tendave të të shpërngulurve në rajonin Al-Mawasi të qytetit Khan Younis. Në sulmin e kryer mbrëmë nga ushtria izraelite në rajonin e Al-Mawasit, humbën jetën 10 persona dhe shumë të mbetën të plagosur./aa