Një samit arabo-islamik në Arabinë Saudite i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që të lëshojë një rezolutë detyruese që zbaton një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe që lehtëson qasjen urgjente në ndihma humanitare.
Thirrja ishte pjesë e deklaratës përfundimtare të samitit të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), i mbajtur në kryeqytetin saudit Riad për të adresuar krizat e përshkallëzuara në Gaza dhe Liban, të dy vendet duke u përballur me një breshëri sulmesh izraelite.
Samiti bëri thirrje që KS-OKB-ja të miratojë një "rezolutë detyruese për një armëpushim dhe dërgimin e menjëhershëm të ndihmës humanitare në Gaza".
Deklarata gjithashtu lavdëroi "përpjekjet e Egjiptit dhe Katarit, në bashkëpunim me SHBA-në, drejt arritjes së një armëpushimi të shpejtë dhe të qëndrueshëm në Gaza", si dhe e konsideroi Izraelin përgjegjës për "prapambetjen e marrëveshjeve".
Samiti i Riadit gjithashtu paralajmëroi kundër përhapjes së agresionit që ka zgjatur më shumë se një vit në Gaza dhe që është zgjeruar duke përfshirë Libanin dhe shkeljen e sovranitetit të Irakut, Sirisë dhe Iranit.
Ajo ripohoi angazhimin e saj për sigurinë, stabilitetin dhe sovranitetin e Libanit, duke dënuar sulmet e qëllimshme ndaj ushtrisë libaneze, civilëve dhe forcës paqeruajtëse të OKB-së (UNIFIL) në vend.
Deklarata theksoi rëndësinë e garantimit të sigurisë së Libanit dhe mbrojtjes së qytetarëve të tij në mes të paqëndrueshmërisë rajonale.
Samiti po ashtu dënoi politikën e ndëshkimit kolektiv të Izraelit në Gaza, veçanërisht përdorimin e bllokadave dhe taktikave të urisë kundër civilëve palestinezë.
Samiti denoncoi "krimet tronditëse dhe të tmerrshme" të kryera nga forcat izraelite në Gaza dhe kërkoi një hetim të pavarur ndërkombëtar që përgjegjësit të japin llogari.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar për shkak të ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila që nga tetori i vitit të kaluar ka vrarë të paktën 43 mijë njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Derisa konflikti u përhap në Liban me Izraelin duke nisur sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, mbi 3.200 njerëz janë vrarë dhe rreth 13.800 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga viti i kaluar.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme është në prag të një lufte rajonale, Tel Avivi më 1 tetor e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor./aa