SHBA, BM Shqipëria dhe Malta u larguan nga salla e një takimi jozyrtar, kur një e dërguar e Rusisë për të drejtat e fëmijëve, të cilën Gjykata Ndërkombëtare Penale kërkon ta arrestojë me akuzën për krime lufte, mori fjalën, sipas Reuters.
BM dhe SHBA bllokuan takimin jozyrtar për Ukrainën, të thirrur nga Rusia për t’u fokusuar në evakuimin e fëmijëve nga zonat e konfliktit.
Diplomatët u larguan nga salla e konferencave të OKB-së ku po zhvillohej diskutimi teksa fliste komisionerja ruse, Maria Lvova-Belova.
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, u tha gazetarëve se SHBA iu bashkua BM në bllokimin e transmetimit në internet në mënyrë që Lvova-Belova të mos kishte “një podium ndërkombëtar për të përhapur dezinformata dhe për t’u përpjekur të mbronte veprimet e saj të tmerrshme që po ndodhin në Ukrainë”.
Gjykata Ndërkombëtare Penale muajin e kaluar lëshoi një urdhër arresti kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe Lvova-Belova, duke i akuzuar ata për deportim të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina dhe transferim të paligjshëm të njerëzve në Rusi nga Ukraina që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt 2022.
Moska tha se urdhrat ishin ligjërisht të pavlefshëm, pasi Rusia nuk ishte nënshkruese e traktatit që themeloi ICC-në.
Moska nuk ka fshehur një program sipas të cilit ka sjellë mijëra fëmijë ukrainas në Rusi, por e paraqet atë si një fushatë humanitare për të mbrojtur jetimët dhe fëmijët e braktisur në zonën e luftës.
“Rusia pretendon se po i mbron këta fëmijë. Në vend të kësaj, kjo është një politikë e llogaritur që synon të fshijë identitetin dhe shtetësinë ukrainase”, i tha takimit diplomatja britanike Asima Ghazi-Bouillon.