Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi në ndalesën e parë të rrugëtimit në komunitetet shqiptare të Europës për Shqipërinë 2030, në takimin e mbajtur sot në sallën “Christmas Theater” të stadiumit ‘Galatsi’ në Athinë, tha se janë hasur me shumë probleme në realizimin e këtij takimi. Klosi tha se u krijuan pengesa artificiale nga politika që nuk donte që të mbahej ky takim.
“Mirë se ju gjejmë! Mirënjohje dhe falënderime pafund! Në këtë tubim do të duhej të ishte një gjë fare e thjeshtë, gjëja më e thjeshtë duhej të ishte organizuar ky takim kaq europian. Por fatkeqësisht patëm shumë vështirësi në realizimin e këtij takimi. Jemi sot me Edi Ramën, kryeministrin e shqiptarëve, sot në turin “Krenar për Shqipërinë”, që fillon këtu në Athinë, pastaj në Milano, Londër, Dyseldorf, kudo ku ka shqiptarë, për të folur me ta. Sa keq, që vetëm këtu patëm disa probleme, pengesa të çuditshme për organizimin e këtij takimi, pengesa artificiale, njëlloj si politika kërkon të krijojë konflikte, në kundërshtim total me frymën, pjesëmarrjen, dëshirën e kaq shumë mijëra njerëzve. Politika përpiqej ta pengonte takimin”, tha Klosi.
Nga salla e mbushur plot me europianë, siç i cilësoi Klosi bashkatdhetarët tanë në Greqi, ai shprehu bindjen që njëlloj siç u kapërcyen, duke folur dhe duke negociuar, duke i kërkuar mirëkuptim autoriteteve, duke ia dalë t’i zgjidhin, po kështu me negociata ne do të na duhet të zgjidhim dhe problemet e pakuptimta që politika krijon vetëm për arsye elektorale ndërmjet dy popujve tanë.
“Ju, vëllezër, shqiptarët e Greqisë, jeni pasqyra më besnike e asaj që në të vërtetë është populli shqiptar dhe Shqipërisë reale, përtej llogoreve të konflikteve politike. Ju i treguat popullit grek se sa të ndryshëm ishim nga imazhi i rremë me të cilin ju nxiu balta politike e mediatike e viteve ’90. Ju dëshmuat se midis shqiptarëve e grekëve të zakonshëm nuk ka asnjë arsye për t’u parë me dyshim, për t’u paragjykuar me inat, apo për t’u gjykuar me syzet e errëta të përbuzjes nacionaliste. Ju jeni sot shembulli i integrimit nëpërmjet punës. Çdonjëri këtu është punëtor i mirë. Ju jeni sot shembulli se dija dhe vullneti për të fituar të drejtën e qytetarisë ju ka sjellë këtu si qytetarë të lirë europianë. Sot, askush nga ju, asnjëri nga ju nuk mund të shikohet nga lart-poshtë, dhe kushdo që e bën këtë gabim e bën vetëm vetëm për arsye të verbra nacionaliste”, tha Klosi./ata