Anëtarët e opozitës në Komisionin Hetimor për Sterilizimin kanë paraqitur dokumentin ku kërkojnë këtë të mërkurë të thirren dhe të dëshmojë Edi Rama në cilësinë e Kryeministrit, si dhe sipërmarrëses Vilma Nushi. Kjo e fundit në cilësinë e pronares së dy kompanive, që janë pjesë e një prej koncesioneve objekt i veprimtarisë hetimore të këtij Komisioni.
Deputetët e opozitës kërkojnë paraqitjen e Vilma Nushi e cila, sipas tyre është përfituese indirekte dhe direkte 1.5 mln Eurove nga dividenti.
“Refuzimi i përsëritur nga ana e anëtarëve të mazhorancës në këtë Komision, për të thirrur si dëshmitarë z. Edi Rama dhe zonjën Vilma Nushi është tërësisht në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i takon Ligjit për Komisionet Hetimore dhe ligjet në fuqi.”
“Komisioni është i detyruar që të thërrasë për të dëshmuar para tij, jo vetëm Z. Edi Rama por të gjithë personat për të cilët anëtarët e opozitës, si iniciues të këtij Komisioni, kanë kërkuar që të paraqiten e të dëshmojnë”, thuhet në dokumentet e publikuara./ata