Kryesuesi i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar kryediplomatin e Shqipërisë, Igli Hasani.
Pas takimit, Hasani dhe Borg mbajtën një deklaratë në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke u fokusuar në çështjet e angazhimit të OSBE-së, marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maltës dhe çështje të tjera.
-Ministri Hasani: Prioritet mbetet ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore
Hasani tha se Shqipëria vlerëson thellësisht angazhimin e Maltës për marrjen e përgjegjësisë për kryesimin e OSBE-së, sipas tij në këto momente kaq të rëndësishme dhe sfiduese për sigurinë e kontinentit.
"Gjatë takimit me Borg shkëmbyem mendime mbi rolin kyç të OSBE-së në nxitjen dhe ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit sidomos në përballjen e sfidave të sigurisë që na presin, të cilat janë të shumta dhe shpesh të paparashikueshme. Diskutuam gjithashtu nevojën për të përmirësuar koordinimin mes shteteve pjesëmarrëse, për të forcuar mekanizmat e qeverisjes dhe për të rritur efektivitetin e politikave të OSBE-së në përballimin e këtyre sfidave", tha Hasani.
Ministri Hsani theksoi se kanë nënvizuar me ministrin Borg qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës.
"Gjatë bisedës sonë me ministrin Borg u ndalëm edhe në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maltës, duke vërejtur se kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe që vazhdojnë të forcohen. Prioriteti ynë mbetet ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimi i stabilitetit politik, paqes dhe zhvillimit ekonomik në rajon", tha ndër të tjera Hasani.
-Borg: Përballemi me dinamika gjeopolitike që ndryshojnë shumë shpejt
Borg u shpreh se Misioni i OSBE-së në Shqipëri ka qenë një partner i palëkundur në çuarjen përpara të vlerave demokratike, në forcimin e institucioneve dhe në promovimin e të drejtave të njeriut.
"Puna jonë në të mirë të popullit shqiptar shtrihet në fusha kyçe, si sundimi i ligjit, mirëqeverisja, (lufta) kundër korrupsionit dhe liria e medias. Përmes nismave që synojnë reformën në gjyqësor, kundër trafikimit dhe angazhimit të të rinjve, po ndërtojmë demokraci më të forta e shoqëri më gjithëpërfshirëse. Mbetemi të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë për të çuar përpara reformat kyçe zgjedhore në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR", tha ai.
Borg shtoi se përballen me dinamika gjeopolitike që ndryshojnë shumë shpejt, me kërcënime sigurie gjithmonë e më komplekse dhe pasiguri globale.
"Motoja e kryesisë (së OSBE-së) këtë vit, forcimi i qëndresës dhe rritja e sigurisë, reflektojnë vetëdijen e Maltës për mjedisin sfidues ku ne veprojmë. Nevoja për një rend shumëpalësh efektiv, gjithëpërfshirës dhe funksional nuk ka qenë kurrë më e ngutshme dhe se po punojmë fort për të siguruar qëndresën dhe rezistencën e OSBE-së", tha Borg.
Gjatë vizitës në Shqipëri, është planifikuar që kryesuesi i radhës i OSBE-së, që zhvilloi një turne rajonal vizitash, të takohet edhe me Presidentin Bajram Begaj./aa