Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përshëndeti vendimin e Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista e vendeve nën monitorim, në të cilën përfshihej prej anëtarësimit në KiE, në vitin 1995, duke e cilësuar vendim plotësisht legjitim dhe të merituar.

“Një rikonfirmim i progresit drejt shtetit të së drejtës, fuqizimit të institucioneve demokratike, thellimit të reformave, avancimit drejt BE-së, kontributit në mbrojtjen e paqes e sigurisë dhe  lidershipit në zhvillimet rajonale”, u shpreh Nikolla në një reagim në rrjetet sociale.

Pas 29 vitesh nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizatë në vitin 1995, Komiteti Monitorues i CoE-PACE ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazën e dialogut të postmonitorimit./ata