Presidenti italian, Sergio Mattarella deklaroi sot se Italia  di se si të kujdeset për veten, pasi Elon Musk një ditë më parë shkroi në platformën e tij X se gjykatësit e Romës që kundërshtuan ndalimin e një grupi të dytë emigrantësh duhet të largohen.

Themeluesi i ”Paypal” dhe ”Tesla”, njeriu më i pasur në botë dhe financuesi kryesor i Trump, duke komentuar në X lajmin e postuar nga një përdorues mbi vendimin për pezullimin e vlefshmërisë së ndalimit të shtatë emigrantëve nga Egjipti dhe Bangladeshi në Gjadër, shkruan se ”këta gjyqtarë duhet të ikin”.

”Italia është një vend i madh demokratik dhe duhet të ritheksoj se di të kujdeset për veten, në respekt të Kushtetutës së saj”, tha presidenti italian duke cituar një fjalim të mëparshëm të 7 tetorit 2022.

Mattarella theksoi se “çdokush, veçanërisht nëse, siç është paralajmëruar, do të ndërmarrin një rol të rëndësishëm qeveritar në një vend mik dhe aleat, duhet të respektojë sovranitetin dhe nuk mund të pretendojë rolin e dhënies së këshillave”.

Musk u emërua nga presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump për të drejtuar një agjenci të sapokrijuar për efikasitetin e qeverisë.

Gjykata italiane që mori vendimin për emigrantët e ka dërguar çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (ECJ)./ata