Kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se Fondi Sovran është jetik për rritjen ekonomike dhe shtimin e investimeve. Ai, teksa foli për paralajmërimet opozitare që Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë Ligjin për Fondin Sovran, tha se duhet të “ndërpritet avazi i bllokimit të reformave pozitive e progresiste”.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, shefi i ekzekutivit tha se janë bërë një vit prej se Ligji për Fondin Sovran është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Kurti tha se uron që të mos dalin të sakta paralajmërimet e partive opozitare që Ligji për Fondin Sovran do të hidhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
“Urojmë që të ndërpritet ky avazi i bllokimit të reformave pozitive e progresiste siç ndodhi me Ligjin me Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me Ligjin për Çmimet Tavan për Produktet Bazë ndër të tjera”, shtoi Kurti.
Shefi i ekzekutivit përmendi edhe raportin njëvjeçar të punës së Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ku theksoi se deri më tani janë grumbulluar “189 metra apo 15.8 terrabajt materiale të folderëve në këmbë”.
Ai shtoi se ky proces nuk është i lehtë, por thelbësor për të dokumentuar të vërtetën dhe mundësuar drejtësinë.
/Kosovapress/