Java e fundit ka shënuar rritje të bronkopneumonive tek fëmijët e vegjël, duke mos kursyer as të sapolindurit. Mjekët pediatër thonë se fluksi është i lartë duke i tejkaluar 50 vizita ditore nga një mjek.

“Ka qenë një fluks i shtuar për arsye të bronko-pneumonive që kanë dhënë viruset që po qarkullojnë në vendin tonë dhe që kapin grupmoshën 0-2 vjeç. Virusi shkaktar i pneumonive është virusi sinicial respirator, që fillon si virozë e zakonshme dhe përfundon me bronkiolite, bronkopneumoni dhe pneumoni virale. Si rezultat i virusit sincial respiratorë shkojnë 5-10% pneumonitë”, thotë Adriana Ilias pediatre, qendra shëndetësore nr. 9.

Por si nis një pneumoni dhe cilat janë shenjat karakteristike të saj?

“Temperatura e lartë, dyspnea, nuk ushqehen mirë”, tregon mjekja.

Viruset në qarkullim janë të shumta po kur ato mbivendosen japin sëmundshmëri më agresive.

Në qoftë se dy viroza bëhen bashkë, gripi i stinës dhe Covid, çon në pneumoni virale ose bakteriale. Rastet e lehta të mesme i trajtojmë ambulatorisht, të rëndat i dërgojmë për shtrim në spital”, shprehet mjekja.

Përballë kësaj situate, mjekët pediatër kërkojnë nga ISHP që të marrë më shumë mostra nazale që të gjejnë shkaktarin e pneumonive, ndërsa apelojnë që prindërit të vaksinojnë fëmijët për t’i mbrojtur së paku nga gripi stinor./EuroNews