Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, programi për energjinë konsiston në zhvillimin e burimeve të qëndrueshme të energjisë drejt diversifikimit të burimeve natyrore.
E pranishme në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, për shqyrtim në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025” të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku theksoi se, vitet e fundit ka pasur një interes të shtuar për të investuar në parqe fotovoltaike dhe eolike.
“Ne synojmë që në vitin 2030 Shqipëria të kthehet nga një importues neto në një eksportues neto të energjisë”, tha ajo.
Balluku theksoi se ky sektor parashikon dhe zbatimin e paketës së tretë rregullatore sipas BE-së.
Sipas saj, për vitin 2025 është parashikuar një buxhet prej 3.37 miliardë lekë.
Ajo u ndal në projektet që do realizohen ku veçoi disa prej tyre.
“Projektet në këtë sektor me financim të huaj janë korridoret energjetike siç është linjën 400 kv Shqipëri-Maqedoni e Veriut; programi i eficiencës në sektorin e transmetimit; ndërtimin e nënstacionit 110 kv në Tiranë”, tha Balluku.
Gjithashtu, tjetër projekt është zgjerimi i skadës në godinën e OSHEE që është sistemi i monitorimit për ndërhyrje në kohë rekord kur kemi avari dhe rehabilitimi i nënstacioneve në Tiranë dhe Durrës, ndërtimi i fiderit në Kamzë si dhe rehabilitimi i HEC në Fierzë dhe projekti i transporti të gjelbër në Tiranë dhe projektet IPA”, tha Balluku.
“Në projektet e reja është edhe instalimi i matësve inteligjentë tek konsumatorët, po fillojmë në kabinat e energjisë dhe kjo do të thotë kursim i 8 milionë lekëve të ardhurave më shumë në buxhet nga matësat inteligjentë”, përfundoi Balluku./ata