Banka e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me letrën e Presidentit Bajram Begaj drejtuar Kuvendit, për skandalin e mikrokredive, ku thuhej se Banka e Shqipërisë nuk ka marrë masa për ta parandaluar.
Në një njoftim për shtyp, BSH-ja thekson se, me vlerësimin maksimal për shqetësimin e Presidentit të Republikës dhe me përgjegjshmërinë për të informuar saktë dhe drejt publikun, Banka e Shqipërisë sqaron se ka përmbushur kurdoherë misionin e saj kushtetues: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar në vend.
“Me masat dhe veprimet tona ndër vite, ne kemi kontribuar që Shqipëria të përballojë me sukses pasojat e një sërë krizash financiare, kemi mundësuar që brenda dekadës së fundit kredia me probleme të ulet 5 herë, duke u vendosur në nivelet më të ulëta historike, kemi përmirësuar rrënjësisht kuadrin rregullator në funksion të mbrojtjes së konsumatorit duke bërë që interesat për kredinë të ulen me 3 herë brenda 3 viteve të fundit, por mbi të gjitha, kemi garantuar shëndetin financiar të vendit, duke mbajtur të sigurta kursimet e miliona qytetarëve”, thuhet në deklaratë.
Mandati ligjor i Bankës së Shqipërisë, vijon njoftimi, është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar të vendit.
Për këtë qëllim, në shtator të vitit 2015, u miratua “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme”, i cili u nënshkrua nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe përcaktonte një sërë detyrash për institucionet qeveritare dhe për Bankën e Shqipërisë. Një ndër detyrat e Bankës së Shqipërisë, ishte licencimi i shoqërive që do të angazhoheshin në blerjen dhe administrimin e kredive me probleme, zgjidhje kjo e cila gjente mbështetje të plotë edhe në parashikimet e Kodit Civil.
Sipas Bankës Qendrore, rregullimi i bërë nga Banka e Shqipërisë në vitin 2016 nuk prekte aspektin licencues të subjekteve të pajisura tashmë me një licencë kredidhënieje, por bënte të mundur që aktiviteti i blerjeve vetëm të kredive me probleme të kornizohej brenda kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë (raportim, mbikëqyrje etj.).
Në aspektin licencues, ky rregullim solli ndryshim vetëm për institucionet e reja që mund të futeshin në treg, portofoli i të cilave do të përbëhej 100% vetëm nga kredi me probleme.
Këto ndryshime, krahas faktit që ishin një detyrë e lënë nga “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme” i vitit 2015, erdhi si domosdoshmëri edhe për arsye se: kredia është një produkt financiar dhe transferimi i këtij produkti duhet të bëhet detyrimisht drejt subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë; është e detyrueshme përmbushja e kërkesave rregullatore për raportimin e të dhënave në Regjistrin e Kredive me qëllim mospenalizimin e qytetarëve për të plotësuar nevojat e tyre për kreditim; administrimi i riskut nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave nga jashtë, si dhe raportimet periodike pranë Bankës së Shqipërisë janë të një rëndësie të lartë; dhe Banka e Shqipërisë i kushton vëmendje maksimale konsumatorit në drejtim të transparencës, mbrojtjes nga veprimtari abuzive dhe ndërmjetësimit në trajtimin e ankesave të kredimarrësve.
Pra, Banka e Shqipërisë, citon njoftimi, në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme.
Banka e Shqipërisë, në përmbushje të të gjitha kritereve rregullatore dhe respektim të plotë të kërkesave ligjore, mbështetur në analiza të thelluara të riskut, si dhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë e bashkëpunimin e institucioneve në vend, licencoi në vijim subjektet të cilat i përmbushnin plotësisht kriteret rregullatore.
Në vijim, gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të veprimtarisë së këtyre shoqërive, Banka e Shqipërisë ka ushtruar me profesionalizëm të plotë funksionin e saj mbikëqyrës, në respektim të detyrimeve ligjore dhe rregullatore. Nga momenti i licencimit, të gjitha këto subjekte iu janë nënshtruar inspektimeve periodike nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe konkretisht, inspektime të vazhdueshme nga jashtë, ekzaminime të plota dhe atyre të pjesshme, si dhe monitorimit 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë të raportuar prej tyre.
Përgjatë gjithë këtij procesi, Banka e Shqipërisë ka marrë sa herë e nevojshme masat e duhura mbikëqyrëse, të cilat, në rastet më të fundit, janë përshkallëzuar deri në revokim të plotë të licencës së subjekteve që gjatë ushtrimit të aktivitetit kishin shkelur detyrimet rregullatore të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, të materializuara në vendimmarrje të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, janë ndërmarrë edhe një sërë iniciativash institucionale, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në mbrojtje të konsumatorit, si: kufizimin e masës së penaliteteve të detyruar për t’u paguar nga kredimarrësit në vonesë në jo më shumë se 30% të shumës totale të detyrimit të mbetur të kredisë;vendosjen e një kufiri të normës maksimale të interesit; heqjen e pagesës së një penaliteti në rast të shlyerjes para afatit të disa prej kategorive të kredisë; heqjen e tarifës së marrjes së raportit të kredimarrësit nga Regjistri i Kredive që administrohet nga Banka e Shqipërisë për konsumatorët kredimarrës; etj.
Ndërkohë, po punohet me asistencën e Bankës Botërore, mbi rishikimin e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, duke pasur veçanërisht në fokus mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.
Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka vijuar të shqyrtojë dhe asistojë me seriozitet çdo ankesë në drejtim të subjekteve të mbikëqyrura prej saj. Ajo çka ka dominuar gjatë këtij procesi, është fakti se numri më i madh i ankimimeve të mbërritura në Bankën e Shqipërisë nga klientët e këtyre shoqërive lidhet me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm. Ky fakt konfirmohet edhe sot, kur një grup pune i dedikuar brenda Bankës se Shqipërisë po trajton ankesat e kredimarrësve të institucioneve financiare, të cilave tashmë u është revokuar licenca.
Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve, pasi kjo është kompetencë që me ligj i është njohur vetëm gjykatës kompetente. Autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që është marrë një vendim i gjykatës dhe është lëshuar urdhri i ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj. Gjejmë rastin të ritheksojmë se kontratat e kredive dhe marrëdhëniet apo mosmarrëveshjet mes kreditorëve dhe klientëve janë subjekt ekskluziv i Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile që prevalojnë mbi çdo ligj apo rregullore të Bankës së Shqipërisë dhe si të tilla janë objekt ekskluziv i organeve të drejtësisë.
Po ashtu, veprimtaria e shërbimit përmbarimor, qofshin këto të organizuara si shërbim shtetëror apo privat, nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Si rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor nuk është objekt kontrolli i Bankës së Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë.
Thënë sa më sipër, BSH dëshiron të siguroj publikun dhe deklaron me përgjegjësi të plotë se Banka e Shqipërisë, në përmbushje të detyrave të saj ligjore, ka ushtruar pandërprerë, me përpikmëri, profesionalizëm, integritet dhe fokus mbrojtjen e konsumatorit, të gjitha funksionet e saj mbikëqyrëse e rregullatore, brenda të gjitha hapësirave atribuuar asaj nga ligjet në fuqi. Funksioni i Bankës së Shqipërisë është të mbikëqyrë dhe rregullojë atë pjesë të tregut financiar brenda tagrave që i njeh ligji, si dhe të adresojë fenomenet e padëshiruara me zgjidhje gjithëpërfshirëse në nivel sistemik, duke gjetur ekuilibrat më të mirë të mundshëm midis ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë ka qenë e vëmendshme ndaj problematikave që kanë shoqëruar edhe këtë pjesë të procesit, pavarësisht se përtej juridiksionit të saj. Në funksion të zgjidhjes së tyre, Banka e Shqipërisë vijon të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë si dhe i ka trajtuar në vazhdimësi këto çështje në të gjitha komunikimet me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve, si dhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Konkretisht, kemi pasur komunikime shkresore dhe takime të vazhdueshme. Kemi kërkuar ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës. Kemi kërkuar shkëmbimin e informacionit sa herë prej një institucioni janë konstatuar gjetje të natyrave të ndryshme dhe që e preknin këtë proces. Për më tepër, kemi kërkuar konfirmim zyrtar në mënyrë të vazhdueshme nga organet ligjvënëse mbi hetime/procedime të mundshme të këtyre subjekteve apo aksionerëve/administratorëve të tyre.
Në çdo rast, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar dhe do të vijojë të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha organet e drejtësisë, për të sqaruar dhe qartësuar çdo aspekt të rolit të saj. Njëkohësisht, ne mbetemi të hapur të japim të gjithë kontributin, informacionin, e sqarimet e nevojshme duke e konsideruar transparencën dhe llogaridhënien e plotë ndaj të gjitha palëve, e veçanërisht publikut, një element kyç të besueshmërisë së saj dhe tejet të rëndësishëm në përmbushjen e njërit prej mandateve të saj ligjore, atë të stabilitetit financiar të vendit”, citon njoftimi i Bankës së Shqipërisë./ata