Normat e ulëta të lindshmërisë, lëvizjet migratore dhe emigratore, si dhe rritja e numrit të vdekjeve kanë sjellë ndryshime të theksuara në strukturën familjare, raporton Censi i vitit 2023.
“Scan Intel” analizoi të dhënat e detajuara të raportit, për të kuptuar se në cilat qarqe ka më shumë familje me vetëm 1 anëtar. Shifrat tregojnë se 4.3% popullsisë totale jeton vetëm. Por si paraqitet situata në qarqe?
Analizuar në nivel qarku, Vlora dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të ngjashme përsa i përket numrit të njësive familjare me vetëm një anëtar. Konkretisht, në Vlorë afro 19% e totalit të familjeve kanë vetëm një anëtar, ndërsa në Gjirokastër kjo shifër arrin në 16.37%. Këto janë dhe dy qarqet me numrin më të lartë të familjeve me vetëm një person. Shkodra renditet e treta me rreth 7,600 familje një-anëtarëshe, e ndjekur nga Korça me rreth 7,800 të tilla.
Edhe qarqet e Durrësit dhe Fierit kanë përqindje të larta të popullsisë që jetojnë vetëm, respektivisht me 13.4% dhe 13.3%, ndërsa në kryeqytet mbi 40,000 familje janë me vetëm një anëtar.
Në të kundërt Berati është qarku me normën më të ulët të familjeve, struktura e të cilave përbëhet nga një anëtar i vetëm . Në këtë qark vetëm 0.34% e njësive familjare përbëhet nga vetëm një individ.
Ndërkohë, në Elbasan, Dibër dhe Kukës, struktura familjare dominohet nga çifte të martuara ose bashkëjetues, shpesh me fëmijë, duke ruajtur bërthamat tradicionale të familjes. Për disa familje në këto qarqe, një strukturë e zakonshme është edhe prindi i vetëm me fëmijë.
Nga ana tjetër, rezulton se në të gjithë vendin numërohen rreth 64,000 persona mbi 60 vjeç që jetojnë tërësisht vetëm. Kjo shifër pasqyron një realitet social të vështirë për këto të moshuar që përballen me mungesen e pranisë së anëtarëve të familjes pranë tyre./Tema