Seanca plenare ka nisur me debate ndërmjet kryetares së parlamentit Elisa Spiropali dhe përfaqësuesve të opozitës.

Shkak u bë prezenca e Ilir Beqajt gjatë mbledhjes së komisionit hetimor në Shëndetësi, mbledhje e cila zgjati deri pas mesnate.

Kryetari i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi tha se kryetarja e Kuvendit duhet të shqetësohet për kërcënimet që bëhen ndaj deputetëve të opozitës dhe jo për etikën e komunikimit të deputetëve të opozitës.

“Ti zonjë duhet të jesh shumë e shqetësuar që një person i paraburgosur nën hetim nga drejtësia, dje lëvizte i lirë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, madje guxonte të futej në sallën e mbledhjeve të komisionit dhe guxonte i pashqetësuar të kërcënonte deputetët e opozitës. Ju si kryetare duhet të kishit qëndrim për këtë dhe jo të kujdeseshit për etikën e komisionit tonë. Si guxon ky kriminel që të kërcënojnë deputetët e opozitës dhe ju duhet të keni qëndrim për këtë dhe jo për etikën tonë të komunikimit”- tha Bardhi.

Bardhi kërkon që afati i Komisionit të shtyhet me 3 javë në mënyrë që të ketë një produkt përfundimtar.

“Ju vendosët të mos i jepni më shumë kohë Komisionit edhe pse ai nuk ka përfunduar planin e hetimeve. Të përfundosh pa mbyllur planin e hetimit do të thotë t’i mohosh opozitës të drejtën për të hetuar. Të pengosh opozitës për të bërë hetimin parlamentar është një nga shqetësimet e ngritur në progres raport dhe ja ku e kemi shembullin. Pse nuk e lejoni ju opozitës që të vijojë punën? Pa përfunduar plan i hetimeve ju thoni nuk ju jam më shumë kohë. Ju lutem rishikojeni atë qëndrim dhe dënonin shantazhin që një kriminel në burg bën ndaj deputetëve të opozitës. Ju keni vrarë pa produkt Komisionin Hetimor. Shtyje me 2-3 javë punën e komisionit”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër nënkryetari i PD-së, Flamur Noka, po ashtu e cilësoi si sulm ndaj opozitës futjen e Beqajt në mbledhjen Komisionit Hetimor.

“Dje shqiptarët ndoqën një seancë të turpshme në seancën e komisionit hetimor për shëndetësinë. I jepni urdhër gardës të ushtrojë dhunë ndaj opozitës, një hajdut dy metra i gjatë, i burgosur për vjedhje guxon që të sulmojë të agresojë Kuvendin e Shqipërisë deputetët e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë.

Ajo sjellje tregon qasjen tuja për të mbrojtur hajdutët. Paniku bën që ju shkelni çdo normë çdo standard dhe çdo rregullore. Garda e Republikës e ka lënë komisionin hetimor të shëndetësisë pa gardistë, pas asnjë punonjës garde. Ilir Beqaj guxonin të intimidon deputetët”- tha Noka.

Bardhi kërkoi po ashtu të lejohet të zgjatet afati i Komisionit Hetimor në Shëndetësi.

“Të kemi mundësi të respektojmë kushtetutën e vendit”- tha Bardhi./ata