Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi sot se, Shqipëria i ka të forta marrëdhëniet me SHBA-në dhe këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej gjatë mandatit të presidentit Donald Trump.
Në një reagim ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Tritan Shehu, i cili kërkoi që Kuvendi të bëjë një deklaratë për të përshëndetur fitoren e Donlad Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane, Balla tha se kuvendi nuk ka mbajtur ndonjëherë në këto 30 vite një deklaratë për të përshëndetur fitoren e një presidenti
“Unë nuk mbaj mend ndonjëherë që Kuvendi i Shqipërisë në këto 30 vite të ketë bërë një deklaratë për të përshëndetur fitoren e një presidenti apo të një kandidati për kancelar apo kryeministër në një vend tjetër”, tha Balla.
Por, shtoi ministri, “është fakt publik, kryeministri Rama ka qenë ndër udhëheqësit e parë evropianë që ka uruar presidentin Trump për fitoren e tij të shquar. Di që një pjesë e madhe e kolegëve të mi ministra, unë personalisht e kam bërë një gjë të tillë, siç e keni bërë dhe ju. Në fund të fundit është një moment i rëndësishëm, Presidenti i SHBA-ve është një aktor i rëndësishëm i politikës globale.
“Në këto 102 vite marrëdhëniesh të ngushta Shqipëri-SHBA ne nuk harrojmë asnjëherë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në krijimin e shtetit shqiptar dhe rolin e pazëvendësueshëm të Presidentit Wilson dhe gjithashtu të falënderojmë të gjithë presidentët amerikanë prej vitit 1990 e këtej, nga presidenti Bush (babai), e më pas presidentin Clinton, e më pas përsëri presidentin Bush, i cili vizitoi Shqipërinë dhe ishte një president që mbështeti fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për të vazhduar me presidentin Obama, për të vazhduar me presidentin e 45-të që ishte presidenti Trump, me presidentin e 46-të, presidentin Biden dhe përsëri presidentin e 47-të presidentin Trump”, tha Balla.
Balla nënvizoi se, “Shqipëria marrëdhëniet me SHBA-në i ka të forta dhe këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej gjatë mandatit të presidentit të 47-të z. Trump”, tha Balla.
Balla u shpreh se gjithashtu ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka uruar sekretarin e propozuar Sekretar i Shtetit, Marco Rubion. Gjithashtu ai vetë ka uruar Drejtorin e ri të CIA-s, John Ratcliffe për pozicionin që ka marrë.
“Është një gjë e mirë që në administratën e re të presidentit Trump që po konfigurohet pothuajse e plotë, ka duke filluar nga presidenti Trump dhe pozicione të tjera ka shumë, shumë njerëz personalitete që njohin shumë mirë Shqipërisë, që e njohin shumë mirë Ballkanin perëndimor dhe kjo është një mundësi për ta forcuar dhe për të shkuar tek ajo që tha dhe kryeministri Rama kur uroi presidentin Trump që marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të forcohen edhe më tej sa i përket këtij raporti strategjik”, u shpreh Balla.
Deputeti Tritan Shehu në përgjigje ndaj ministrit Balla tha se, “sado lojëra fjalësh të bëhen nuk arrihet dot të hidhet tymnajë mbi të vërtetat dhe mbi ngjarjet që po ndodhin dhe po përgatiten për botën mbarë”.
“Urimi që i është bërë presidentit Trump nga lideri juaj ishte i njëjtë me urimin që mund t’i bëhej presidentit të Argjentinës në zgjedhjen e tij. Kaq. Asgjë më shumë. Duhet t akuptoni këtë gjë, merremi me politikë dhe i kuptojmë këto gjëra”, tha Shehu.
Së dyti, shtoi Shehu, “ju të nderuar zotërinj të mazhorancës, a distancoheni nga thëniet e dikurshme të liderit tuaj për z. Trump që është turp i njerëzimit apo i qëndroni akoma asaj. Është një element që duhet sqaruar, duhet përballuar, sepse politika kërkon transparencë dhe kërkon t’i themi gjërat si janë”./ata