Në kuadër të takimeve për mbrojtjen civile, në qytetin e Korçës u zhvillua mbledhja e radhës e Komisionit të Mbrojtjes Civile, sa i takon analizës së administrimit të emergjencave verore dhe përgatitjes për administrimin e emergjencave dimërore.

Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole theksoi problematikat e konstatuara dimrin e kaluar në mirëmbajtjen e akseve kryesore nacionale dhe rrugëve turistike, ku në tërësi ka patur një angazhim të mirë të strukturave të mbrojtjes civile, koordinim të punës e masave me bashkitë, midis bashkive dhe institucioneve shtetërore në nivel rajonal e vendor.

Jole tha se, me angazhimin e të gjitha hallkave dhe institucioneve, situatat emergjente në qarkun Korçë këtë dimër do të administrohen e përballohen me sukses.

Në këtë takim mori pjesë edhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, cili gjendet në Korçë edhe në kuadër të turit të takimeve që janë duke zhvilluar në çdo qark të vendit, sa i takon mbështetjes që qeveria qendrore është duke ofruar për të konsoliduar këtë shërbim në standarde progresivisht më të larta.

Një aspekt i rëndësishëm i diskutimeve ishte nxitja e bashkive që të aplikojnë për Fondin e Mbrojtjes Civile, i cili mundëson zbatimin e projekteve që përmirësojnë infrastrukturën dhe ulin riskun për qytetarët, përmes rehabilitimit të digave, rezervuarëve dhe përforcimit të mjeteve të reagimit.

“Në vëmendje edhe të porosive të Kryeministrit, të lëna në takimin e fundit të zhvilluar me drejtuesit e bashkive, vendosëm theksin në maksimizimin e angazhimit të forcave të deklaruara prej Njësive të Vetëqeverisjes Vendore si dhe shfrytëzimin e fondeve të kushtëzuara, për aplikimet deri në datë 25 nëntor për financime në projektet e infrastrukturës parandaluese, rikonstruksionit të digave apo blerjes së mjeteve në funksion të emergjencave civile”, deklaroi prefekti Jole./ata