Këshilli i Ministrave miratoi sot hapjen e institucionit të arsimit të lartë, jopublik, të llojit akademi “American Academy of Technology Tirana”, në emër të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan “Harry T. Fultz”, i cili ushtron veprimtarinë në qytetin e Tiranës.

Akademia “American Academy of Technology Tirana” organizohet në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Teknologjisë dhe ka në përbërje njësitë bazë, si më poshtë vijon: Departamentin e Inxhinierisë Elektrike; Departamentin e Teknologjisë së Informacionit dhe Qendrën Kërkimore Shkencore.

Akademia “American Academy of Technology Tirana” ofron programe të studimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi.

Akademia “American Academy of Technology Tirana” fillon veprimtarinë vetëm pas nxjerrjes së urdhrit të ministrit përgjegjës për arsimin për fillimin e veprimtarisë.

Akademia “American Academy of Technology Tirana” duhet t’u nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Statuti i Akademisë “American Academy of Technology Tirana” miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ushtron kontroll periodik të ligjshmërisë në institucion, sipas kuadrit ligjor në fuqi.

Çdo ndryshim i njësisë kryesore të Akademisë “American Academy of Technology Tirana” miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, sipas legjislacionit në fuqi.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan “Harry T. Fultz” .

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ata