Dosja ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro ka kaluar për gjykim.

Goro dhe mbrojtja e tij kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.

Sipas tvklan, Goro është marrë i pandehur për veprat penale të shpërdorimit të detyrës në dy raste dhe fshehjes së pasurisë. Goro dhe 4 persona të tjerë akuzohen lidhur me dy raste tjetërsimi pronash në jug të vendit.

Në episodin e parë rezulton se kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë. Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.

Gjatë hetimeve të SPAK dyshohet se Jorgo Goro të ketë fshehur një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 81 metra katrorë. Për këtë pasuri, organi i akuzës dyshon se Goro e ka regjistruar në emër të një personi tjetër, por që posedohet nga ish-kryebashkiaku.

Hetimet e SPAK për këtë çështje u inciuan pas kallëzimit penal, të bërë nga Fredi Beleri. Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme dyshon se Goro ka abuzuar me detyrën edhe në një rast tjetër duke e rënduar edhe më shumë pozitën e tij në përballjen me drejtësinë.

Dy sipërfaqet e tokës që cilat janë mbi 10 mijë metra katrorë, janë të sekuestrura nga SPAK. Ndërsa për çështjen tjetër që dyshohet se është abuzuar me mbi 4 mijë metra katrorë tokë vijojnë hetimet. Vetë Goro i ka mohuar akuzat./VizionPlus