Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi i është drejtuar me një kërkesë për të anuluar vendimet e djeshme Kryetares së Parlamentit, Lindita Nikollës sepse sipas tij, janë antikushtetuese.

 

 

Sipas Bardhit Kryetarja e Kuvendit ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke konsideruar të miratuar 3 akte me pjesëmarrjen e vetëm 64 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në procesin e votimit. Edhe ditën e djeshme, Bardhi i është drejtuar ashpër Lindita Nikollës, ku sipas tij, kryetarja e parlamentit ‘dirigjohet’ nga sms-të e Taulant Ballës.  

 

 

“Nga ana ime si deputet, është ngritur në mënyrë të përsëritur mungesa e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje, çka i bënte tre votimet e kryera absolutisht të pavlefshme, mirëpo në injorim të detyrimit kushtetues dhe të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit i ka konsideruar aktet të miratuara. Kjo përbën një shkelje kushtetuese dhe ligjore shumë të rëndë, duke anashkaluar detyrimin e parashikuar nga neni 78 i Kushtetutës dhe neni 55 i Rregullores së Kuvendit.” – shprehet Bardhi në kërkesë. Në rast të kundërt të gjitha aktet e miratuara janë antikushtetuese dhe Kryetari i Kuvendit do të ishte në kushtet e falsifikimit të akteve, duke konsideruar të miratuara, akte që në fakt Kuvendi nuk ka arritur me shumicën e kërkuar ti miratoi.” – shprehet ai në kërkesën e dorëzuar në Kuvend.

 

Pas akuzës së Bardhit, Nikolla iu përgjigj se në nisje të seancës 74 deputetë kishin konfirmuar prezencën. Kjo u kundërshtua nga Bardhi i cili tha se prezenca e deputetëve duhet të konfirmohet para çdo votimi që bëhet në sallë dhe i kërkoi Nikollës që të mos komunikonte në telefon me Ballën por të respektonte rregulloren.

 

Kujtojmë se pas tri javësh, Kuvendi zhvilloi dje një seancë normale pas kaosit të krijuar mazhorancë-opozitë lidhur me lajmin e agjentit të përfshirë në akte korruptive, Charles McoGonigal. Gjatë këtyre javëve, PD madje ka paraqitur një kërkesë për përjashtimin e kryetares së kuvendit, Lindita Nikolla pasi sipas tyre mban kah dhe nuk zbaton Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Gjatë seancës së javës së shkuar, me 78 vota pro, 3 kundër dhe 0 abstenim, Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e opozitës për shkarkimin nga detyra të kryeparlamentares, Lindita Nikolla.  Kryeparlametarja në një fjalim të gjatë, teksa fliste nga vendi, sepse foltorja vijonte të ishte e bllokuar nga ‘Rithemelimi’, tha se pas kërkesës kishte reflektuar për sjelljen e saj dhe kishte dalë në përfundimin se nuk ka bërë gjë tjetër veç se ka mbrojtur Kushtetutën. Ajo tha se kërkesa e opozitës nuk ishte bazuar mbi fakte, por interpretime, dhe sipas saj, reflektonte hallet e brendshme e partisë, pasi nuk ka një kauzë reale.