Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas takimit  të Kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Itali.

Sipas Bashës, vota e diasporës është detyrë kushtetuese dhe borxh ndaj bashkatdhetarëve tanë.

“Vetëm pellazgët dhe ilirët mbetën pa u fajësuar për korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës, për dështimet, për premtimet e pambajtura, për shpopullimin dhe mohimin e të drejtave të atyre që shpërnguli përgjatë qeverisjes së tij nga vendlindja”, u shpreh Basha në një postim në rrjetet sociale.

“Një i papërgjegjshëm që reciton për të vjedhur suksesin e shqiptarëve të ndershëm nëpër botë, për të mbuluar njollat e turpit të pushtetit të tij të korruptuar në çdo qelizë dhe për të fshehur dështimet e qeverisjes së tij, nuk bën gjë tjetër vetëm se shton agoninë e një sistemi të vdekur”, shtoi Basha.

Basha nënvizoi se, është koha që cirku dhe ahengu të marrë fund dhe të rikthehemi te propozimet politike.

“Vota e diasporës, detyrë kushtetuese dhe borxh ndaj bashkatdhetarëve tanë. Propozimet e PD-së i japin zgjidhje aspiratës së emigrantëve për të vendosur për Shqipërinë e përbashkët”, theksoi Basha./ata