Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, dhe se Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen dhe të nxirren para drejtësisë.

 

Pas homazheve tek lapidari i masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, Kurti theksoi se drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale.

 

“Këtu në Pejë bëmë homazhe te lapidari duke u përulur e përkujtuar 40 të vrarët gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe këtu në lagjen ‘Dardania’. Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë, për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, ndërkaq Prokuroria e Kosovës, Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen, të nxirren para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat, ku dihet se viktima nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit por edhe familjet e tyre, farefisi e mbarë shoqëria jonë”, tha Kurti.

 

Bashkë me kryeminiStrin Kurti në homazhe pranë lapidarit të masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, ishin edhe kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari.

 

Në këtë 24 vjetor sot kujtohen dhe nderohen 69 viktimat e lagjes Dardania 1,2 dhe 3.

 

Më 27 marsin e vitit 1999, banorët e lagjes Dardania në Pejë kishin përjetuar një tmerr kur paramilitarët serbë, kishin filluar t’i ndanin burrat nga familja e tyre dhe më pas i kishin pushkatuar dhe hynë edhe në shtëpitë e këtyre lagjeve ku kryen masakra të rënda. /KosovaPress/