Deputetja e PD-së, Flutura Açka ka folur sot në cilësinë e kryetares së Komisionin Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik duke u solidarizuar pas sulmit ndaj Top Channel, ku si pasojë humbi jetën roja i sigurisë.

 

Në një deklaratë për mediet, deputetja Flutura Açka u bëri thirrje institucioneve, ministrit të Brendshëm, Çuçi dhe kryeministrit Rama ta marrin seriozisht këtë ngjarje të rëndë dhe terroristët të vihen para drejtësisë.

 

“Në mbështetje të ndjeshmërisë së lartë publike të ardhur pas sulmit kriminal me armë zjarri mbi median kombëtare TOP Channel, ku mbeti i vrarë punonjësi Pal Kola, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, grupi i deputetëve të Opozitës në Komisionin Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, njëherësh me ngushëllimet e thella për familjen e të ndjerit, shpreh shqetësimin e shtuar se akte të tilla, të paralajmëruara më herët me akte të veçanta e sporadike të dhunës ndaj gazetarëve, disa prej tyre edhe të vetë kësaj medie, mund të parathonë një stinë të vështirë elektorale ku po hyjmë. Me ngjyrat, skenarin dhe dhunën e një akti të pastër terrorist, ky sulm duhet të kishte ngritur në këmbë shtetin shqiptar, jo vetëm se ai prek shenjtërinë e një prej pushteteve më të ndjeshme, më të brishta dhe më themelore të demokracisë, por sepse ai dëmton dhe vë në dyshim sigurinë e të gjitha fijeve të komunikimit publik, që është thelbi i fjalës dhe medias së lirë në një demokraci të shëndetshme”, tha ajo.

 

Po ashtu, Deputetja e PD-së, Flutura Açka i bëri thirrje organeve ligjzbatuese të gjejnë fajtorë dhe t’i çojnë para drejtësisë.

 

“Ndaj, duke përcjellë mbështetjen tonë publike dhe solidarizimin me TOP Channel, me gazetarët dhe të gjithë stafin e tyre, ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe personalisht zotit Çuçi, Policisë së shtetit, Policisë së Tiranës, të gjejnë sa më shpejt fajtorët dhe t’i çojnë ata para drejtësisë, të sigurojnë mbështetjen e tyre të pakufishme mbi median shqiptare, cilado qoftë ajo, edhe kur jo gjithmonë duartroket kinse sukseset e qeverisë shqiptare. Para ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë të gjithë jemi të barabartë.”,- theksoi ajo.

 

Açka i bëri thirrje edhe politikës shqiptare, segmenteve të caktuara të saj, të ndalin gjuhën, shpesh shumë të ashpër, shpesh me doza agresive, shpesh plot shpifje e shantazhe, që nuk bëjnë gjë tjetër, veç i krijojnë një parajsë publike dhe një mjedis perfekt për frymëzimin e krimit dhe dhunës në shoqërinë shqiptare.

 

“Si pjesë e një komisioni shumë të rëndësishëm parlamentar që drejtohet nga Opozita, grupi i deputetëve të Opozitës në Komisionin Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik u bën thirrje edhe disa analistëve politikë dhe me autoritet, të ndalin thirrjet e tyre publike për dhunë ndaj asaj që ata paracaktojnë me paragjykim si pjesë e madhe apo e vogël e Opozitës shqiptare. I bëjmë thirrje AMA-s të monitorojë me seriozitet të lartë rastet e shpeshta të kësaj natyre, në të cilat janë shfaqur ftesat publike për ndëshkim nga cilido shëtitës e bujtës i televizioneve shqiptare, si akte të një papërgjegjshmërie të lartë dhe nxitëse të përplasjeve në prag të fushatës së zgjedhjeve vendore”,- tha Açka.