Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 3 vjet burg për Fatjon Muratin, pronarin e lokalit në zonën e Don Boskos, ku disa javë më parë u qëllua me breshëri armësh dhe si pasojë u plagosën 5 persona ndërsa mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja.

 

Murati akuzohet për armëmbajtje pa leje. Hetimet ndaj tij nisën pasi gjurmët e tij të gishtave u gjetën në një kuti në mesin e një arsenali armësh, të cilat ruheshin në një banesë të marrë me qira nga shtetasi Kristjan Gjini. Për këtë të fundit prokuroria kërkoi 12 vjet burgim.

 

Fatjon Murati fillimisht u akuzua si një nga poseduesit e arsenalit të armëve të gjetura në kryeqytet në verën e 2022, por më pas Prokuroria e Tiranës i ndryshoi akuzën duke i lehtësuar pozitat në posedimin e vetëm një pistolete.

 

Ky ndryshim akuze u pasua me ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij në Dhjetor të 2022 në “Arrest shtëpie”.  Aktualisht, Murati është shpallur në kërkim pasi ditën kur lokali i tij u sulmua nga autorë ende të paidentifikuar ai theu masën e sigurisë dhe u largua nga Shqipëria.