Një 41-vjeçar i lindur në Honduras dhe rezident në Gjermani është ndaluar nga policia në Pikën Kufitare në Kakavijë.
Uniformat blu bëjnë me dije se ndalimi i këtij shtetasi është bërë pasi nga verifikimet ka rezultuar i shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”, sepse në Tiranë, i ka marrë një shtetasi kosovar shumën 9000 euro, duke e mashtruar.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë Kufitare i kanë gjetur shtetasit J. S., 10 150 euro dhe 400 dollarë, të cilat ai nuk e kishte deklaruar në doganë, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Gjithashtu, gjatë kontrollit, këtij shtetasi i janë gjetur disa dokumente identifikimi të falsifikuara, të cilat dyshohet se i ka përdorur gjatë qëndrimit në Shqipëri, për të mos u identifikuar nga Policia.
J. S., akuzohet për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.
Shtetasi J. S. iu dorëzua shërbimeve të DVP Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.