Barcelonë, Spanjë - Në më shumë se një dekadë duke luftuar me zjarret, zjarrfikësi Manuel Rubio nuk kishte parë kurrë një zjarr si ai që shpërtheu javën e kaluar në Spanjën lindore. Jo në fillim të vitit.

 

Zjarri i pyllit që shpërtheu të enjten e kaluar pranë fshatit Villanueva de Viver e befasoi Rubion dhe ekspertët e zjarrit duke shfaqur një egërsi të pazakontë për pranverën, kur në vitet e mëparshme temperaturat më të ulëta ndihmuan në mbajtjen e zjarreve nën kontroll. Kjo nuk premton për mirë për një vend që kryesoi në Evropë me tokën e djegur gjatë një viti rekord të nxehtë 2022.

“Unë prisja një zjarr si ata që shohim normalisht në mars, i cili mund të konsumojë 100, 200 hektarë, po jo më shumë se 4,300 hektarë që ky ka djegur,” tha Rubio, 39 vjeç për Associated Press disa orë më parë duke u kthyer nga një betejë. “Kemi të bëjmë me kushte atmosferike të përshtatshme për verën dhe kemi një zjarr që po sillet si një zjarr i verës”.

 

 

Rajoni i Mesdheut po ngrohet më shpejt se mesatarja globale për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga çlirimi i gazrave serrë. Efektet, siç bien dakord zyrtarët evropianë dhe spanjollë, tashmë po shihen në valët e shumta të të nxehtit dhe në thatësirën e zgjatur që Spanja ka duruar gjatë disa muajve.