Arrestohet në flagrancë një 28-vjeçar në Gjirokastër, pasi akuzohet se po transportonte emigrantë të paligjshëm drejt kryeqytetit.

 

Sipas uniformave blu 28-vjeçari me iniciale E.L. banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 11 mars të këtij viti po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm kundrejt një fitimi të caktuar.

 

Bëhet e ditur se në momentin që është pikasur nga Policia, shtetasi ka qenë duke drejtuar automjetin e tij, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”.

 

Ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, është larguar menjëherë me shpejtësi dhe më pas ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte emigrantët.

 

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në inteligjencën informative, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit E. L., 28 vjeç, banues në Tiranë.

 

28-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 11.03.2023, duke drejtuar automjetin e tij, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, është larguar me shpejtësi dhe më pas ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte kundrejt fitimit, 4 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës”, thuhet në njoftimin e policisë.”